OVL-ja: Vendim i turpshëm i Gjykatës Supreme

Kronika August 21, 2017 - 08:49

Gjykata Supreme e Kosovës ia ka vërtetuar dënimet grupit “Drenica 2”. Ish-deputeti Fadil Demaku, vëllai i tij Nexhat Demaku dhe Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj do t’i mbajnë nga 3 vjet burg, ndërsa Isni Thaçi, Zeqir dhe Jahir Demaku do t’i vuajnë nga 6 vjet burg, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjykata Supreme e Kosovës e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila pati vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në rastin “Drenica 2”, me ç’rast ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Sylejman Selimi, ishte dënuar me 7 vjet heqje lirie, Fadil Demaku, vëllai i tij Nexhat Demaku dhe Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj me nga 3 vjet burg, ndërsa Isni Thaçi, Zeqir dhe Jahir Demaku janë dënuar me nga 6 vjet burg.

Nga grupi i “Drenica 2” dënimi i është ulur vetëm Sylejman Selimit, nga 7 vjet burg në 6 vjet heqje lirie. Të tjerët, ish-deputeti Fadil Demaku, vëllai i tij Nexhat Demaku dhe Agim, Driton, Bashkim dhe Selman Demaj do t’i mbajnë nga 3 vjet burg, ndërsa Isni Thaçi dhe Zeqir e Jahir Demaku do t’i vuajnë nga 6 vjet burg, shkruan tutuje "Zëri".

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Drenas e ka quajtur vendimin e Supremes si turpin më të madh, duke vlerësuar se janë dënime të pabazuara në fakte dhe pa prova.

LEXO EDHE: Pesë ditë pa asnjë pikë ujë

“Këto vendime politike dhe dashakeqe na bëjnë qe të mos i besojmë drejtësisë, sepse çlirimtarët po dënohen pa prova, prova e vetme është se ishin luftëtarë të UÇK-së dhe mbrojtën vendin nga kriminelët serbë”, thuhet në reagimin e degës së OVL-së në Drenas, duke konstatuar se “kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk mund të jetë e vërtetë”!

“Asnjëherë nuk kemi besuar që drejtësia do të bjerë në pisllëkun e mendjeve të mykura mesjetare që në forma të ndryshme kanë lëshuar rrënjë deri këtu. Kurrë nuk do të kishim besuar se drejtësia degradohet deri në këtë nivel. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte dhe do të mbetet e pastër dhe e drejtë, sado që dikush po mundohet t'ia ulë vlerën me dënimet e vazhdueshme për luftëtarët e UÇK-së. Konfirmimi i dënimeve edhe nga Gjykata Supreme për rastin ‘Drenica 2’ është më shumë se i turpshëm. Luftëtaret e UÇK-së luftuan për liri dhe për çlirim nga pushtuesi, luftuan të kemi drejtësi në këtë vend, por kjo ‘drejtësi’ me këto dënime për ushtarët e UÇK-së, dënime të pabazuara në fakte dhe pa prova, nuk është asgjë tjetër vetëm dështim i drejtësisë”, thuhet mes të tjerash në reagim.

Veteranët e luftës së UÇK-së së Drenasit vlerësojnë se edhe 17 vjet pas lufte dënohen luftëtarët e UÇK-së me akuza të fabrikuara nga Beogradi dhe me montime false.

“Ky është edhe një tentim për ta barazuar kriminelin me çlirimtarin, Këto vendime politike nuk janë asgjë tjetër veç tentim për t’ia ulur vlerat luftës së UÇK-së. Prandaj ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se çka po ndodh dhe duhet të reagojmë në çdo formë për t’i mbrojtur shokët dhe djemtë tanë më të mirë dhe luftëtaret më të denjë, prijësit dhe komandantët e vërtetë që po mbahen në burgje dhe po dënohen pa fakte e prova”, thuhet në reagimin e OVL-së në Drenas.

Ka reaguar edhe kryetari aktual i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka vlerësuar se vendimi i Supremes dhe përgjithësisht institucionet e drejtësisë nuk “na lënë të paanshëm”. 

“Drenica për më shumë se një shekull ishte burim lirie, duke u bërë ballë me dinjitet sfidave, furtunave dhe sprovave të lirisë. Drenica përcolli për më shumë se një shekull mesazhin e sakrificës. Edhe sot bijtë e Drenicës janë duke ua dhënë këtë mesazh.

Institucionet e drejtësisë janë të pavarura në vendimet e veta. Vendimi i djeshëm nuk na lë të paanshëm. Dje çlirimtarët e Drenasit morën një lajm që na preku. Për shumë arsye kemi pritur lirimin nga çdo akuzë”, ka thënë Lladrovci.