Sulmohet rëndë drejtori i burgjeve të Kosovës

Kronika August 17, 2017 - 08:29

Drejtori i burgjeve të Kosovës është sulmuar të mërkurën në mëngjes me shufra hekuri nga persona të panjohur deri më tash. Drejtori i Shërbimit Emergjent të QKUK-së, Basri Lenjani, ka konfirmuar për “Zërin” se gjendja e Zogajt është jashtë rrezikut për jetën.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, është sulmuar të mërkurën nga persona të panjohur para banesës së tij në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.

Sulmi me mjete të forta i ka shkaktuar atij lëndime të rënda. Sipas deklaratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Zogaj ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse është shtrirë nën kujdesin e mjekëve në Klinikën e Neurokirurgjisë.

Zogaj është dërguar në emergjencë në orën 07:20 me gjakderdhje dhe pa vetëdije pas goditjeve që ka marrë në kokë nga persona ende të paidentifikuar. Drejtori i Shërbimit Emergjent të QKUK-së, Basri Lenjani, ka konfirmuar për Zërin se gjendja ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, është jashtë rrezikut për jetën. Lenjani ka bërë të ditur se është arritur të ndalohet gjakderdhja si dhe të bëhet qepja e plagës.

LEXO EDHE: Vazhdon gjykimi i Oliver Ivanoviqit

Lenjani ka thënë se Zogaj është pranuar në QKUK në orën 07:20 të mëngjesit.

“Është sjellë nga shërbimet emergjente spitalore, i lënduar, ku ka pësuar lëndime në kokë si pasojë e përdorimit të mjeteve të topitura. Në pranim shërbimet emergjente mjekësore ofrojnë kujdesin emergjent mjekësor monitoriues, observues, ku menjëherë fillon procesi diagnostik, laboratorik dhe bëhen konsulencat mjekësore dhe pas ofrimit të kujdesit emergjent mjekësor dhe pas konsulencave i lënduari në fjalë dërgohet në trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Neurokirurgjisë”, tha Lenjani.

Lenjani ka thënë se bëhet fjalë për lëndime të kokës

QKUK: Zogaj, jashtë rrezikut për jetën

Por ai ka thënë se për momentin këto lëndime nuk e rrezikojnë jetën e Zogajt. “Lëndimet e kokës duhet të observohen së paku 48 orë. Dhe pas observimit 48 orë dhe nëse nuk ka ndonjë ndërlikim serioz atëherë mund të dërgohet për trajtim familjar-shtëpiak”, tha Lenjani.  Ndërkaq Policia e Kosovës në Prishtinë e ka konfirmuar sulmin ndaj Zogajt. “Sot rreth orës 07:00 Policia ka marrë informacionin se në lagjen ‘Ulpiana’ në Prishtinë një person është sulmuar (dyshohet me mjete të forta - shufra), nga persona të dyshuar”. Sipas Policisë, bëhet fjalë për viktimën S. Z, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK). Në njoftimin e Policisë thuhet se pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes si dhe përfundimit të procedurave fillestare nga ana e Policisë, puna hetimore e Policisë është fokusuar në identifikimin e personave të dyshuar me qëllim kapjen e tyre, si dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje. “Ndërkohë që në stacionin policor ‘Jugu’ në Prishtinë, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, janë iniciuar rastet ‘sulm ndaj personit zyrtar dhe lëndim trupor’”, thuhet në njoftimin e Policisë. Kontaktuar nga gazeta, Policia e Kosovës nuk ka deklaruar të dhëna nëse ka ndonjë person të dyshuar për rastin.

EULEX-i bën thirrje për hetim të rastit dhe për zbardhjen e ngjarjes

Ndërsa gjatë ditës misioni i EULEX-it ka reaguar për sulmin ndaj ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogajt, duke bërë thirrje për hetim të rastit dhe gatishmëri për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.

Shefi i këtij misioni në Kosovë, Bernd Thran, ka thënë se besojnë në një hetim të plotë dhe të shpejtë nga autoritetet përkatëse.

“Ne besojmë se një hetim i plotë do të kryhet me shpejtësi dhe ne jemi gati t’i ndihmojmë autoritetet përkatëse në përputhje me mandatin tonë, për të siguruar që përgjegjësit do të sillen para drejtësisë”, ka thënë udhëheqësi i Misionit, Bernd Thran. Edhe Ministria e Drejtësisë ka reaguar ndaj sulmit, duke e dënuar ashpër sulmin. Në reagimin e kësaj Ministrie thuhet se “dënohet sulmi brutal ndaj z. Zogaj dhe ftohen organet kompetente ta trajtojnë rastin, në mënyrë që kryerësit e këtij akti brutal të dalin para organeve të drejtësisë. Ministria e Drejtësisë do të bashkëpunojë me organet kompetente deri në zbardhjen e plotë të sulmit brutal ndaj z. Zogaj”. Kurse në një postim të saj në rrjetin social “Facebook” ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka thënë se

sulmi ndaj Zogajt është sulm i papranueshëm ndaj punës së tij dhe institucionit të Shërbimit Korrektues. “Si të tillë, e dënojmë ashpër dhe e gjykojmë fuqishëm. Ftoj institucionet gjegjëse t’i ndërmarrin të gjitha veprimet që të ndriçohen të gjitha rrethanat e sulmit kriminal ndaj Sokol Zogajt dhe kryerësit e kësaj vepre ta marrin dënimin e merituar”, ka thënë Hoxha.

Ruairi O’Conell: Të ndëshkohen sulmuesit! 

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Conell, ka reaguar ndaj sulmit që sot i është bërë drejtorit të burgjeve, Sokol Zogajt. Nëpërmjet një postimi në “Facebook” ai ka thënë se duhet të ndëshkohen personat që sulmuan këtë zyrtar të lartë shtetëror. “Jam i tmerruar që kam dëgjuar sulmin ndaj Sokol Zogajt. Mendimet e mia janë me të dhe me familjen e tij. Unë shpresoj se autoritetet do të hetojnë së shpejti dhe seriozisht do t’i sjellin keqbërësit përpara drejtësisë. Nuk duhet të ketë asnjë mosndëshkim për njerëzit apo grupet që kërcënojnë ligjin në këtë mënyrë”, ka shkruar Zogaj.