Vazhdon gjykimi i Oliver Ivanoviqit

Kronika August 17, 2017 - 08:18

Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit me akuza për krime lufte në Mitrovicë, të kryera më 14 prill të vitit 1999 në rrugën e “Kovaçëve”, ndërsa për pikën e dytë të aktakuzës, “Vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbim të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës”, Apeli e ka shpallur të pafajshëm, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Në Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës ka vazhduar procesi gjyqësor ndaj liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq, i cili akuzohet për krime lufte të kryera ndaj civilëve shqiptarë më 14 prill të vitit 1999, në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë.

Për pikën 2 të aktakuzës, “Vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbim të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës më 2 shkurt të vitit 2000”, Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm.

Për krime të kryera ndaj shqiptarëve gjatë luftës, në rrugën e “Kovaçëve” në Mitrovicë, trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, që kryesohej nga gjykatësja rumune Roksana Komsha, Ivanoviq është dënuar me 9 vjet heqje lirie, shkruan tutje "Zëri".

Por Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim, ndërsa Oliver Ivanoviqin e ka liruar nga burgu për t’u mbrojtur nga liria.

LEXO EDHE: Tre pretendentë të PDK-së për kreun e Drenasit

Në seancën gjyqësore të së mërkurës ka dëshmuar Isa Mustafa, i cili në hollësi ka ripërsëritur të gjithë atë që kishte thënë në gjyqin paraprak të Oliver Ivanoviqit.

Sipas tij, Oliver Ivanoviq ka komanduar me një grup të serbëve të uniformuar, të cilët kanë nxjerrë civilët shqiptarë nga shtëpitë e tyre në rrugën e “Kovaçëve” dhe derisa gratë dhe fëmijët i ka ndarë nga burrat dhe u ka dhënë udhë për në Shqipëri, këta të fundit, 24 civilë shqiptarë janë ekzekutuar. 

Para fillimit të seancës gjyqësore, të mërkurën, Oliver Ivanoviq u ka thënë medieve se pret një vendim dhe përfundim pozitiv të gjykatës, “duke u bazuar në drejtësi e jo në politikë”.

“Do të jetë edhe një mundim, do të zgjasë edhe për disa muaj, por që do të jetë më shpejt se herën e kaluar. Jam i sigurt se as të gjithë dëshmitarët nuk mund të thonë asgjë të re. Pra, unë pres rezultat pozitiv, para së gjithash pres një vendim të drejtë, të bazuar në drejtësi, e kurrsesi në politikë, e mund të ketë vetëm një vendim që të shpallem plotësisht i pafajshëm për këtë vepër, për të cilën nuk kam asnjë lidhje, për të cilën as që kam ditur e kurrsesi të kem marrë pjesë në të”, ka thënë Ivanoviq. 

Ndërkaq avokati i Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq, ka thënë se ky proces gjyqësor duhet të jetë shumë më ekspeditiv dhe më i shkurtër nga procesi paraprak gjyqësor”. 

“Përsëri do të kalojmë nëpër një proces të pakuptimtë, ku do të merren në pyetje pafundësisht dëshmitarët, në të cilin prokurorit i lejohet të harxhojë kohë pamëshirshëm dhe të bëjë mijëra pyetje irelevante, dhe të bëjë pyetje për të cilat me dhjetëra herë ka marrë përgjigje. Kemi pritur që ky gjykim të jetë më efikas dhe të zgjasë më shkurt nga ai paraprak, por shohim se gjyqi por shkon sikurse ai i pari dhe ka gjasa që të zgjasë edhe më shumë se gjykimi paraprak”, u ka thënë avokati Vllajiq medieve. 

Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës e ka kthyer në rigjykim lëndën e Oliver Ivanoviqit në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Gjykata e Apelit ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, me të cilin Ivanoviq është dënuar me 9 vjet burg. Ivanoviq akuzohet se më 14 prill të vitit 1999 ka vrarë civilë shqiptarë në Mitrovicë, në rrugën e “Kovaçëve”.

Gjykata e Apelit e ka shpallur të pafajshëm për pikën e dytë të aktakuzës, “Vrasje, plagosje, keqtrajtim dhe dëbim të mbi 12 mijë shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës në shkurtin e vitit 2000”. Për këtë pikë të aktakuzës ka qenë akuzuar edhe Dragan Delibashiq, oficer në pension i Xhandarmërisë së Serbisë.