Drejtori burgjeve sulmohet me shufra hekuri, kjo është gjendja e tij

Kronika August 16, 2017 - 09:35

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj, është sulmuar mëngjesin e sotëm. Rasti raportohet të këtë ndodhur derisa Zogaj po dilte nga banesa e tij. Nuk dihet akoma se nga kush u krye ky sulm.

Nga ky sulm Zogaj ka marr lëndime në kokë, por që gjendja e tij është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.

Këtë e ka konfirmuar për “Zëri.info”, zëdhënës i QKUK-së Shpend Fazliu. Ai thënë se Zogaj mëngjesin e sotëm ka kërkuar ndihmën e mjekëve pas lëndimeve që ka marrë.

“Mund ta konfirmoj se ai ka kërkuar ndihmë pas plagëve të marra në kokë. Është jashtë rrezikut për jetë dhe gjendja e tij aktuale është stabile. Mbetet që pacientit t’i bëhen ekzaminime shtesë për të parë nëse ka lëndime më të thella”, ka thënë Fazliu, për Zëri.info”.

Edhe Policia e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media e ka konfirmuar sulmin ndaj Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Sokol Zogaj.

Siç thuhet në komunikatën e policisë Zogaj u sulmua me shufër metalike .

“Sot rreth orës 07:00, policia  ka marrë informacionin se në lagjen  Ulpiana në Prishtinë, një person është sulmuar  (dyshohet me mjete të forta - shufra), nga  persona të dyshuar. Bëhet fjalë për viktimën: S.Z mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, (QKUK)”, thuhet në njoftim.

Rasti është konfirmuar edhe nga Ministria e Drejtësisë.

“Sot, rreth orës 07:00 të mëngjesit duke dalë nga banesa e tij në Prishtinë, nga persona deri më tash të panjohur është sulmuar brutalisht Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, z. Sokol Zogaj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë e cila e ka dënuar ashpër sulmin brutal ndaj z. Zogaj, dhe i ka ftuar organet kompetente ta trajtojnë rastin, në mënyrë që kryerësit e këtij akti brutal të dalin para organeve të drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë  do të bashkëpunoj me organet kompetente deri në zbardhjen e plotë të sulmit brutal ndaj z. Zogaj. /Zëri/