Asnjė gjykatė nuk e do rastin e Ramadan Mujės

Asnjė gjykatė nuk e do rastin e Ramadan Mujės

SHPËRNDARJE

13 Gusht 2017 • 09:42 •
Ka më shumë se një muaj që kur Gjykata e Apelit vendosi të kthej në rigjykim rastin ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja dhe 5 ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj komune, por ky rast ende nuk i është marr nga asnjë gjykatë.

Asnjë nga 6  gjykatat themelore të Kosovës nuk i janë përgjigjur deri tash Gjykatës Themelore të Prizrenit, e cila që nga momenti i marrjes së vendimit nga Gjykata e Apelit  u është drejtuar këtyre gjykatave me kërkesë për marrjen e kësaj lënde.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren Aferdita Kicaj i ka thënë “Arbresh.info” se janë në pritje të përgjigjes nga kryetarët e gjykatave themelore dhe nëse nuk ka ndonjë përgjigje, sipas saj, atëherë gjykata do t’i drejtohet Apelit.

“Sipas ligjit kemi kërkuar nga Kryetarët e Gjykatave të Republikës së Kosovës që ta marrin këtë lëndë në rigjykim edhe jemi në pritje të përgjigjes, nëse asnjëra prej këtyre gjykatave nuk vendos që ta marr këtë rast, atëherë Gjykata Themelore e Prizrenit i drejtohet Gjykatës së Apelit që e njëjta të vendos se cila gjykatë do ta merr këtë lëndë në rigjykim”, është shprehur Kicaj.

Ndryshe në fillim të muajit korrik, Gjykata e Apelit pati dhënë vendimin e saj, duke kthyer në rigjykim rastin ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe 5 ish-zyrtarëve të tjerë të kësaj komune, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në mars të vitit 2014, Gjykata Themelore në Prizren pati dënuar Ramadan Mujën me 2 vite burgim me kusht që i njëjti të mos kryej asnjë vepër penale për një periudhë 3 vjeçare, dhe me një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, pas gati një viti e gjysmë kishte vendosur që lënda të kthehej në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë në Prizren, për shkak se kishte konkluduar se ishin bërë shkelje esenciale në përmbajtjen e aktgjykimit të shkallës së parë.

Aktvendimi i Gjykatës së Apelit kishte arritur në Gjykatën Themelore të Prizrenit në shtator të vitit 2015.
Në këtë aktvendim ishte anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit P.nr.171/13 i lëshuar më 13 mars 2014 dhe lënda ishte kthyer në Gjykatën Themelore për rigjykim.

Mirëpo, në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Supreme e pati rrëzuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit ndaj Mujës dhe të tjerëve, duke marrë vendim që ky rast të kthehet sërish në Gjykatën e Apelit për rivendosje të aktgjykimit të shkallës së parë.

Vendimi i Supremes kishte ardhur pas pranimit të ankesës së prokurorisë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit në shtatorin e po të njëjtit vit, që rasti ndaj kreut të Prizrenit, Ramadan Muja të kthehet në Gjykatën Themelore të Prizrenit për rivendosje.

Supremja, kishte vendosur që aktvendimi i apeluar të anulohet dhe lënda t’ i kthehet Gjykatës së Apelit për rishqyrtim nga një trup i ri gjykues./Arbresh.info