Shumë vatra zjarri, pak mjete, shteti i pafuqishëm për tu përballuar me situatën

Kronika August 11, 2017 - 09:00

Temperaturat e larta dhe zjarret e kësaj vere kanë vënë në provë zjarrfikësit në Shqipëri. Këto ditë atyre u është dashur të luftojnë më flakët në disa vatra zjarri, edhe duke rrezikuar jetën në disa raste. Por sa të përgatitur dhe efektivë janë zjarrfikësit tanë në këto raste?

Situata nuk shfaqet aspak e mirë, kur në shumicën e rasteve, të fundit që mbërrijnë në vendngjarje janë pikërisht zjarrfikësit. Kjo, sepse në shumë bashki një repart i tillë nuk ekziston, ndërkohë që ligji dikton krijimin e tyre deri në dhjetor të vitit 2018.

“Bashkia e Cërrikut ka një territor prej 186 km katrorë, tërësisht të pambuluar me këtë shërbim dhe mundësitë tona për ta krijuar një repart zjarrfikës janë të pamundura, pra janë zero”, – tha Altin Toska, kryetar i Bashkisë së Cërrikut.

“Bashkia e Belshit ka zero mundësi për të ndërtuar dhe për të mbajtur një stacion zjarrfikësish. E them këtë për shkak të mungesës së fondeve”, – shprehet Arif Tafani, kryetari i Bashkisë së Belshit.

Edhe në ato raste kur repartet zjarrfikëse ekzistojnë, ato janë thuajse në grahmat e fundit. Edhe këtu kërkohen shuma të mëdha për rikonstruksionin e tyre, të cilat bashkitë e kanë sërish të pamundur t’i përballojnë.

“Eshtë për të ardhur keq që ky repart ka 5 makina zjarrfikëse të vitit 1975-1976. Zjarrfikëseve u mungon baza materiale dhe veshjet. Mungon një kompresor që shërben për mbushjen e bombolave dhe aparateve hermetike. Ka edhe mungesë të pajisjeve ndihmëse të mjeteve zjarrfikëse, si tubat apo fikëset portative të zjarrit”, – tha Qazim Sejdini, kryetar i Bashkisë së Elbasanit.

Ndërkohë, së fundmi qeveria ka akorduar një fond pagash për personel zjarrfikës edhe në ato bashki ku ky repart nuk ekziston. Gjë që do të thotë se personeli zjarrfikës do të paguhet, edhe pse nuk ka as mjete dhe asnjë mundësi për të ndërhyrë në raste zjarri.

Sipas të dhënave, nga 61 bashkia në vend, 23 prej tyre nuk kanë asnjë mjet për fikjen e zjarrit, si dhe ka mungesë në logjistikë e efikasitet në shuarjen e flakëve. Po ashtu edhe mjetet për fikjen e zjarrit nga ajrit janë shumë të pakta, ndërkohë që është kërkuar ndihmë edhe nga shtet fqinje për helikopterë.

Përballë një situate zjarresh që po shkon drejt një emergjence kombëtare, shteti shqiptar shfaqet i pafuqishëm për të reaguar ashtu siç duhet. Investimet e munguara në sektorin e zjarrfikësve nga bashkitë në rrethe ka precipituar në një situatë të tillë, ku zjarret kanë djeguar me hektarë të tërë pyje e shkurre dhe në shumë raste është duke iu afruar qendrave të banuara.

E vetmja gjë që ngelet për tu shpresuar është fakti se ndërhyrja e motit me uljen e temperaturave dhe shirat, do ndihmon në fikjen e zjarreve, gjë të cilin shteti shqiptar deri më tani duket sikur e ka gati të pamundur ta bëjë./ Lapsi.al/