Piromanët e veriut të Kosovës

Kronika August 01, 2017 - 08:39

Katër veturave u është vënë flaka në veri të Mitrovicës në javën që lamë pas, dy prej të cilave u takojnë liderëve politikë serbë, Dragisha Milloviq e Oliver Ivanoviq. Në natën në mes të shtunës dhe të dielës flaka ka shpërthyer edhe në një ndërtesë, në të cilën jetojnë 20 familje. Viktimat sigurojnë se piromanët nuk janë shqiptarë, por Zyra për Kosovën dhe Komuna Veriore këto raste i marrin si dëshmi se vendimi i Rakiqit për t’i ndërprerë punimet në urë ka qenë i drejtë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Java që shkoi është karakterizuar në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan me djegie të veturave të liderëve politikë të veriut të Mitrovicës, por edhe me zjarrvënie të një ndërtese që gjendet në afërsi të gjykatave në veri të Mitrovicës, në të cilën jetojnë 20 familje.

Viktimat e këtyre zjarrvënieve, në mesin e të cilëve janë edhe Dragisha Milloviq, ish-kryetar paralel i Zveçanit dhe Oliver Ivanoviq lider i SDP-së, kanë siguruar se piromanët nuk janë shqiptarë, por janë serbë të veriut të Kosovës, që për motiv kanë pasur mesazh politik.

“Qëndrimet e mia dikujt nuk po i pëlqejnë. Më intereson se kujt i kam dalë në rrugë dhe kundër interesave të kujt jam duke punuar. Është turp i madh që pas 17 vjetësh të brengosem për sigurinë fizike time”, ka thënë Ivanoviq, i cili ka siguruar se ata që dogjën veturën e tij nuk janë shqiptarë.

Ai ka përkujtuar edhe incidentet e viteve të kaluara kur i ishte vënë bombë nën veturën zyrtare të tij, pastaj djegien e zyrave të tij dhe ndërhyrjen në banesën e tij. Ivanoviq ka thënë se dikush duhet të përgjigjet për të gjitha ato që i kanë ndodhur deri më tani.

Ivanoviq dyshon se Policia e Kosovës do të zbardhë këtë rast.

“Nuk pres asgjë nga kjo Polici, sepse deri më tani nuk kanë bërë asgjë në raste të ngjashme. Ose bëhet fjalë për moskompetencën, në çka unë dyshoj, ose bëhet fjalë për mungesë guximi dhe dëshire që të hyhet në ballafaqim me kriminelë dhe t’i zgjidhin rastet e këtilla”, thotë lideri i Iniciativës Qytetare SDP.

Veç kësaj, ai thotë se siguria e qytetit është prishur seriozisht sepse ndjenja e pasigurisë është e dukshme. Ai shton se nuk ka armiq personalë dhe biznes privat përmes të cilit do t’i prishte punë dikujt dhe thotë se është i sigurt se përmes kësaj i është dërguar porosia e qartë që të heqë dorë nga kandidatura e planifikuar për zgjedhje lokale që do të zhvillohen në tetor.

Djegia e veturave me prapavijë politike

Se djegia e veturës së Oliver Ivanoviqit dhe e tij kanë prapavijë politike e thotë edhe ish-kryetari i Zveçanit, Dragisha Milloviq. “Gjithçka është e koordinuar dhe është bërë me paramendim. Është në pyetje mesazhi politik. Para së gjithashtu edhe mesazh politik se shihet qartë se dikujt nuk po i pëlqen që shihen dhe të takohen mes vete Dragisha Milloviq e Oliver Ivanoviq, duke menduar se ne po bëjnë ndonjë koalicion për zgjedhje lokale. Dikush është ndier i rrezikuara për këtë idile tonin”, ka thënë Milloviq, i cili gjithashtu ka siguruar se asnjë shqiptar nuk ka shkuar në Zveçan për t’ia djegur veturën. Ai ka përkujtuar disa vrasje që kanë ndodhur në prag të zgjedhjeve lokale në veri të Mitrovicës e të cilat nuk janë zbardhur. Një zjarr tjetër ka shpërthyer të shtunën rreth orës 22:00 në një ndërtesë që ndodhet në afërsi të gjykatave në veri të Mitrovicës, në të cilën jetojnë 20 familje.

Kapiten Besim Hoti, zëvendëskomandant i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, ka thënë se familjen janë evakuuar, ndërsa për shkaqet që kanë çuar deri te shpërthimi i zjarrit nuk ka thënë asnjë fjalë. Zjarri ka përfshirë kulmin e ndërtesë, e cila ndodhet në rrugën “Filip Vishnjiq” në afërsi të Stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës, pranë objektit të Gjykatës, të Burgut të Mitrovicës dhe Rektoratit të Universitetit serb në veri. Por, megjithëse viktimat sigurojnë se shqiptarët nuk kanë dorë në këto zjarrvënie disa nga subjektet politike serbe, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe Komuna Veriore e Mitrovicës, përgjegjëse kanë bërë institucionet e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare pa përmendur me asnjë fjalë se në këto raste mund të kenë dorë grupet ekstremiste serbe në veri të Mitrovicës. Komuna e Mitrovicës së Veriut ka dalë me një komunikatë me anë të së cilës ka shprehur qëndrimin se “seria e fundit e zjarrvënieve ka dëshmuar se kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, kishte shumë të drejtë kur ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve në revitalizimin e urës në pjesën veriore  dhe të zonës së këmbësorëve. “Fatkeqësisht këto raste tregojnë se sa i drejtë ka qenë vendimi i kryetarit Rakiq për ndërprerjen e punimeve në urën kryesore. Ne i ftojmë organet e sigurisë që sa më shpejt t’i gjejnë autorët e këtyre rasteve në mënyrë që këto raste të mos përdoren për çështje politike”, thuhet në komunikatën e Komunës së Mitrovicës Veriore.

 Në anën tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjithashtu nëpërmes një komunikate ka vlerësuar se zjarret në veri të Mitrovicës dhe në Zveçan janë përpjekje për t’i frikësuar serbët e veriut të Kosovës dhe për të krijuar pasiguri tek ata. “I bëjmë thirrje Prishtinës, bashkësisë ndërkombëtare dhe të gjithë përgjegjësve për siguri në Kosovës e Metohi, që përfundimisht të bëjnë përpjekje serioze për ta ndaluar dhunën në veri dhe të krijojnë kushte për jetë të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.  Ndërkaq, Partia e Serbëve të Kosovës që udhëhiqet nga Aleksandër Jabllanoviq gjithë fajin ia ka lënë Policisë së Kosovës, e cila nuk është në gjendje për të krijuar kushte elementare të sigurisë për qytetarët. “Është e qartë se qytetarët e veriut të Kosovës nuk kanë kushte elementare të sigurisë dhe ata jetojnë me frikën për sigurinë e tyre dhe për sigurinë e pasurisë së tyre. Kërkojmë nga strukturat e sigurisë në Prishtinë që t’i shkarkojnë udhëheqësit e Policisë në rajonin e veriut dhe t’i hetojë të gjitha rastet që kanë ndodhur në veri e që Policia Rajonale në Veri nuk ka arritur të japë përgjigje dhe si pasojë ka sjellë frikë shtesë në mesin e qytetarëve, të cilët qartë e shohin se nuk ekziston asnjë institucion i cili profesionalisht mund t’i mbrojë interesat e tyre”, thuhet në komunikatën e PSK-së, nënshkruar nga kryetari Aleksandar Jabllanoviq.