E konfirmuar/ 15 vjeçarja ruse u vra në det

Kronika July 22, 2017 - 17:55

Turistja ruse, 15 vjeçe që humbi jetën dje tek “Tre ishujt” në Ksamil është vrarë aksidentalisht në det. Burime të sigurta nga policia i thanë Opinion.al se ajo u nxorr nga deti me plagë në kokë dhe trup. Grupi hetimor nisur nga dëshmia e familjarëve dhe pushuesve të tjerë si dhe nga shenjat në trupin e viktimës ka ngritur dyshimet se ajo është goditur nga një mjet lundrues skaf ose barkë.

Familjarët kanë drejtuar gishtin tek një skaf i verdhë që lëvizte aty pak para se ajo të rezultonte e mbytur në det. Policia thotë se ka ndaluar skafistin Ermal Fataj i cili po merret në pyetje nga prokurorë dhe hetues. Ai nuk e ka pranuar përfshirjen në ngjarje deri më tani. Burimet thane se disa fije floku që janë gjetur në skafin e tij janë dërguar për ekspertim mjeko-ligjor për të parë nëse përputhen gjenetikisht me ato të viktimës.

Por ajo çka e vështirëson hetimin e Prokurorisë është prishja e pajisjes së ekspertimit në laboratorin e policisë. Burimet sqarojnë se ajo mund të rikthehet në gjendje pune, pas 3 ose 4 javësh. Për këtë fakt, deri në rregullimin e saj, hetimi mbetet pezull ose prokurorët do të kërkojnë një rrugë alternative për ta kryer këtë ekspertim.

Kseniya Ryok nga Shen Petersburgu është turistja e dytë ruse që humb jetën në plazhet shqiptare, pasi një vit më parë një tjetër turist mbeti i vdekur pasi u godit nga një mjet lundrues teksa po lahej në det.