Konfirmohet vdekja e udhëtares, policia po heton nëse është aksident apo vdekje natyrale

Kronika July 22, 2017 - 16:45

Një grua ka mbetur e vdekur skaj një rruge në lagjen “Mati 1” në Prishtinë. Afër kufomës është ndaluar autobusi me të cilin ka qenë duke udhëtuar.

Policia ka konfirmuar vdekjen e udhëtares derisa kanë thënë se janë duke hetuar nëse ky rast është aksident apo është vdekje natyrale.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, ka thënë se Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetimet lidhur me vdekjen e dyshimtë të një udhëtareje në lagjen “Mati 1” në Prishtinë.

“Ende nuk dihet nëse është aksident apo vdekje natyrale”, ka thënë Borovci, për Express, të shtunën.

Policia aktualisht është në vendin e ngjarjes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet mjekësore dhe hetues nga Policia bashkë me zyrtarët e Prokurorisë.