10 punëtorë të vdekur në vendin e punës

Kronika July 20, 2017 - 08:22

Isuf Azemi nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) thotë se gjatë pesë muajve të parë të këtij viti në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 10 persona. Sipas tij, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Vetëm gjatë këtyre pesë muajve të parë të vitit 2017, 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës në sektorin privat.

Por, sipas përfaqësueseve të BSPK-së, kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë.

Isuf Azemi, nga BSPK-ja, thotë se askush në Kosovë nuk kujdeset për të drejtat e punëtoreve, pasi që, sipas tij, ata punojnë në kushte tejet të rënda, ku edhe po e humbin jetën.

“Pas inspektimit që kemi bërë para disa ditëve mund të thuhet se vetëm Zoti i ruan punëtorët, e nuk ka numër më të madh, duke e marrë parasysh gjendjen në të cilën punojnë ata në sektorin privat. Për këta punëtorë nuk e çanë kokën askush. Ky shtet është duke u interesuar vetëm si t’i marrë tatimet, por jo edhe si të kujdeset për qytetarët”, ka thënë ai, shkruan "Zëri".

Azemi më tutje tregon se gjatë inspektimeve në të shumtën e rasteve kanë hasur në raste kur punëtoret punojnë pa asnjë mjet mbrojtës.

Sipas tij, më shumë se 150 mijë punëtorë në Kosovë punojnë pa kontrata pune.

Sipas Azemit, fajtore për këtë gjendje në sektorin privat është Ministria e Punës, por edhe sindikatat e punëtorëve.

“Fajtore për këtë është Ministria e Punës, por edhe ne si sindikatë, pasi që kemi raste të shumta kur punëtori bëhet pjesë e Sindikatës, atëherë ai ka telashe me pronarin e kompanisë, i cili i sanksionon këta punëtorë”, tregon ai.

Tutje, Azemi ka bërë të ditur se të gjitha institucionet janë të informuar se gjysma e punëtorëve nuk paguan kontribute, por që nuk ndërmarrin asgjë.

E në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale pranojnë se brenda këtyre muajve kanë vdekur 10 persona në vendin e punës, por, sipas tyre, gjendja nuk është ashtu siç po paraqitet.

Kryeinspektori i Punës në këtë Ministri, Basri Ibrahimi, thotë se gjendja nuk është aq alarmante siç po e paraqesin disa njerëz, sipas tij të papërgjegjshëm.

“Fatkeqësisht në 5-mujorin e parë i kemi 10 vdekje në vendin e punës dhe jemi të shqetësuar për këto raste, duke e pasur parasysh këtë shifër, gjatë muajit qershor kemi filluar inspektimin në sektorin e ndërtimtarisë, pasi që 4 raste i kemi jashtë sektorit të ndërtimtarisë dhe 6 raste kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë. Të gjitha rastet janë të inspektuara nga Inspektorati i Punës dhe ne kemi vendosur që nga 1 qershori e deri në shtator ta inspektojmë vetëm sektorin e ndërtimtarisë, pasi që këtu po ka më së shumti probleme”, ka thënë ai.

Kryeinspektori Ibrahimi tutje ka treguar se për t’i përmirësuar kushtet dhe punën në sektorin privat, kanë ndërmarrë disa hapa madje edhe duke ndëshkuar në ato raste ku ka pasur shkelje të ligjit.

Ai ka bërë të ditur se gjatë vitit të kaluar kanë shqiptuar 134 gjoba, ndërsa vetëm gjatë 5-mujorit të këtij viti ata kanë shqiptuar 115 gjoba.

Me ketë meny, sipas tij, Ministria po mundohet që ta ngrejë vetëdijen tek pronarët e kompanive për të drejtat e punëtorëve dhe të respektimit të ligjit, ka përfunduar Basri Ibrahimi.

Për përmirësimin e kushteve te punës Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ditë më parë ka prezantuar projektin për “Harmonizimin e Legjislacionit të Kosovës me BE-në në fushën e kushteve të punës”.

Synim i këtij projekti është përmirësimi i kushteve të punës për të punësuarit në vend. Ligji i Punës në Kosovë ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2011, edhe pse ka pasur disa vërejte në çështjet që i rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve.