Si vdiq brenda pusetës 35-vjeçari, detajet e tmerrshme nga ngjarja në Shkodër (Foto)

Kronika July 15, 2017 - 15:50

Një punonjës i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër ka humbur jetën pasi u asfiksua brenda një pusete, ku ai po punonte.

Sipas të dhënave, Kleotos Çeliku, 35 vjeç, mbeti i vdekur pasi hyri në një pusetë me thellësi rreth katër metra.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Guerrile”, gjatë kohës që 35- vjeçari po kryente pastrimin e pusetës së bllokuar.

Por, pak minuta pasi ka hyrë brenda në pusetë, ai humbi ndjenjat, shkruajnë mediat shqiptare.Image

Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një kontakt me rrymën elektrike, por nga hetimet paraprake është arritur në konkluzionin se shkak i vdekjes ka qenë mungesa e oksigjenit.

Në pusetë dyshohet se ka pasur gaz metan, i cili është çliruar nga ujërat e zeza dhe që nuk i ka lejuar frymëmarrjen e nevojshme të riut. Për t’i dhënë ndihmë, në pusetë hyri dhe një koleg i tij.

Gjon Gjoni, 58 vjeç, nuk ia doli të shpëtojë Çelikun, madje rrezikoi edhe jetën e tij. Për fat të mirë, në ndihmë të tij erdhi një banor i zonës, i cili arriti ta nxirrte nga thellësia. Ka qenë edhe një punonjës i tretë, Maliq Selja, 24 vjeç, që ka ndihmuar në situatën e vështirë në mënyrë që të nxirreshin nga thellësia.

Nga verifikimet paraprake, rezulton se 35-vjeçari në momentin që ka hyrë në pusetë, nuk ka qenë i pajisur me bombolë oksigjeni dhe maskë kundragazi, çka është një shkelje e rëndë e kushteve teknike.Image

Të paktën kështu e cilëson Inspektorati i Punës në Shkodër.

I pranishëm në vendngjarje ishte edhe Agim Shimaj, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës. Po ashtu, bombolë oksigjeni apo maskë kundragazi nuk kanë pasur as dy punonjësit e tjerë.

Policia, grupi hetimor dhe prokurori, që shkuan në lagjen “Guerrile” për të hetuar mbi shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërkohë në një reagim për mediat, zëdhënësi i Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër, pasi shprehu ngushëllime për familjen Çeliku, theksoi se nuk ka pasur shkelje të kushteve teknike të punës.

“Të gjitha kushtet teknike të paracaktuara janë zbatuar. Punonjësit kanë pasur pajisjet me vete dhe janë shoqëruar me mjetin autobot, i cili shërben edhe për zhbllokimin e kanaleve. Personi që humbi jetën ka qenë brenda pusetës, kurse dy të tjerët kanë shkuar për ta ndihmuar kur e kanë parë në vështirësi. Nuk jam në gjendje të them se çfarë kanë përdorur punonjësit si mjete, por është një punë rutinë e përditshme”, u shpreh zëdhënësi.

Ndërkaq mjekja e urgjencës në Spitalin Rajonal të Shkodrës, Sabahete Kraja, shprehet se shkak i vdekjes së punonjësit të Ujësjellësit, sipas ekzaminimeve të para, është asfiksimi nga erërat e këqija dhe gazrat që kanë qenë në pusetën ku janë futur për të punuar.

“Gjithsej janë paraqitur 3 persona, të cilët kishin qenë në një pusetë. Dy pacientë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut dhe po dalin nga urgjenca, ndërsa shtetasi Kleotos Çeliku ka ardhur i vdekur në urgjencën e spitalit”, shprehet mjekja.

Lidhur me shkaqet që i kanë sjellë vdekjen 35-vjeçarit, Kraja thekson se kjo ka ardhur nga asfiksimi.

“Ka humbur jetën vetëm nga asfiksimi dhe s’ka pasur asnjë problem tjetër. Tani do të bëhet edhe ekspertiza mjekoligjore, pasi të dërgohet te morgu i spitalit, dhe atje do të dalin të gjitha me saktësi, por nga ekzaminimet tona në urgjencë rezulton se shkak i vdekjes është asfiksimi dhe pamundësia për të marrë frymë”, ka thënë ajo.