Policia kap hajnat e mitur që në Shëngjin ia kishin vjedhur kosovares 2 telefona e 100 euro

Kronika July 01, 2017 - 10:17

Policia e Lezhës njofton se me datë 30.06.2017, rreth orës 12:30, është marrë njoftim nga një shtetase se persona të panjohur nga ana e saj, i kanë vjedhur çantën e shpinës me sendet personale brenda.

“Menjëherë pas njoftimit, është organizuar puna policore dhe janë identifikuar si autorë të kësaj vjedhje, 3 shtetasit e mitur: E.M. 14 vjeç, banues në Lezhë; K.F. 14 vjeç, banues në Lezhë të cilët u arrestuan në flagrancë.Ndërsa shtetasi P.D. 14 vjeç, banues në Lezhë është shpallur në kërkim. Në cilësinë e provës materiale u është gjetur dhe sekuestruar çanta e vjedhur e shtetases, si dhe gjatë kontrollit personal të ushtruar, shtetasit E.M. i është gjetur në çantën e tij, një pistoletë Ekol (simuluese zhurme) me krehër me 9 fishekë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Lezhës, përcjell Koha.net.

Sipas këtij njoftimi, nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, dyshohet që janë autorë të 2 vjedhjeve të tjera të ndodhura në Lezhë, në njërën prej të cilave viktimë është një banore e Kosovës.

“Më datë 21.06.2017, në qytet në Lezhë, dyshohet se i kanë vjedhur një varëse floriri shtetases M.M. banuese në Lezhë. Më datë 26.06.2017, në Shëngjin në plazh, dyshohet se i kanë vjedhur 2 telefona dhe 100 Euro, shtetases V.B. banuese në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprat penale “Vjedhja e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” parashikuar nga nenet 134/2 dhe 280 të Kodit Penal të Shqipërisë.