Alarmi amerikan për trafikimin me qenie njerëzore

Kronika June 29, 2017 - 08:39

Qeveria e Kosovës nuk i ka përmbushur plotësisht standardet për eliminimin e trafikimit me njerëz, ndonëse po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim. Kështu thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për Kosovën.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ka radhitur Kosovën në grupin e dytë si njëri ndër vendet që ka arritur më së paku ta luftojë dukurinë e trafikimit me qenie njerëzore.

“Qeveria e Kosovës nuk ka përmbushur as minimumin e standardeve për ta eliminuar trafikimin, por ata janë duke bërë përpjekje për ta zhdukur këtë dukuri”, thuhet në raportin e DASH-it.

Ministri i Punëve të Brendshme në detyrë, Skender Hyseni, ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku ka lavdëruar Policinë e Kosovës që, sipas tij, ka bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë drejtim.

Ai ka deklaruar se progresi nuk është ndoshta ai i dëshiruari, porse ekziston përkushtimi që kjo çështje ta ketë një trajtim meritor.

“Trafikimi me qenie njerëzore është problem i vjetër dhe viteve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese në botë, por edhe në vendin tonë. Më lejoni që t’i shpreh mirënjohje Policisë së Kosovës për punën e shkëlqyer që ka bërë në këtë fushë. Edhe pse raporti i djeshëm i DASH-it vazhdon ta renditë Kosovën në vendim e dytë ku janë edhe shumë vende anëtare të BE-së edhe në Kosovë vlerësohet puna e madhe që ka bërë MPB-ja”, ka thënë Hyseni.

Ai ka theksuar se do të bëhen veprime më të vendosura që kriminelët e identifikuar të marrin dënime të merituara.

“Gjithë gushtin e vitit të kaluar kemi organizuar konferenca dhe fushata vetëdijesuese me qëllim që ta bëjmë shoqërinë pjesë e Qeverisë për ta luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Në raportin e DASH-it janë të nënvizuara nëntë rekomandime dhe dua të shpreh pajtimin tim të plotë me secilën nga to dhe dua të shpreh zotimin e Ministrisë që do të bëhet punë që këto rekomandime do të trajtohen me seriozitet”, ka theksuar ai.

Ndërkaq Avni Islami, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se Kosova vuan nga kjo dukuri pasi nuk është e anëtarësuar në organizatat botërore të sigurisë dhe për shkak të nivelit të lartë të papunësisë.

“Janë disa faktorë të cilët ndikojnë në këtë fenomen. Sa i përket Kosovës e dimë që vendi ka dalë nga lufta dhe jemi në një gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike. Janë dy faktorë të cilët ndikojnë në këtë dukuri: e para, është se Kosova nuk është pjesë e organizatës më të fuqishme botërore INTERPOL dhe EUROPOL në bashkëpunim me të cilat do të luftohej trafikimi i qenieve njerëzore, dhe e dyta gjendja e rëndë ekonomike i shtyn të rejat dhe të rinjtë drejt kësaj dukurie. Sa i përket organeve të Kosovës, asnjë vend në botë nuk mund të thotë se ka punuar mjaftueshëm për ta luftuar trafikimin, mirëpo rezultatet e Policisë së Kosovës nuk kanë munguar, por duhet të punojnë ende. Kohëve të fundit dukuria e trafikimit të qenieve njerëzore ka shënuar rritje, por kjo nuk mund të lidhet me mospunën e Policisë, por lidhet me faktorët ekonomikë, politikë e socialë”, ka thënë ai.

Edhe Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka thënë se shkalla e lartë e papunësisë po ndikon që gratë e fëmijët të bien pre e trafikimit.

Ai tha se organet e rendit po e bëjnë punën e tyre, por sistemi edukativo-arsimor dhe social po ashtu po ndikojnë në këtë dukuri kriminale.

Ndërkaq sociologu Genc Xërxa ka thënë më herët se Kosova ka qenë vetëm rrugë kaluese për trafikim, ndërsa tani për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike pre e trafikimit po bien edhe shumë të rinj e fëmijë kosovarë.

“Vendi ynë në shumicën e rasteve është përdorur si rrugë kaluese apo tranzitore drejt Evropës, shumë pak raste janë detektuar apo janë zbuluar si grupe trafikantesh që ekskluzivisht kanë qenë vendore apo lokale dhe personat të cilat janë trafikuar kanë qenë jovendorë në shumicën e rasteve, por kohëve të fundit me tendencë rritjeje edhe të femrave kosovare, të cilat me një gjendje të mjerueshme të jetës që po bëjnë, po bien pre e trafikantëve që po i shfrytëzojnë për përfitime të ndryshme”, ka thënë ai.