Përjashtohen kamerat në seancën e ‘Drenica 1’

Kronika June 20, 2017 - 13:57

Në seancën në Gjykatën Supreme të Sylejman Selimit, Sami Lushtakut e Jahir Demakut janë përjashtuar kamerat për shkak të mungesës së hapësirës.

Kamerat janë përjashtuar në seancën në Gjykatën Supreme të Sylejman Selimit, Sami Lushtakut e Jahir Demakut, tre prej të akuzuarve të grupit “Drenica 1”, për shkak të mungesës së hapësirës kur kanë nisur të lexohen aktgjykimet e mëhershme të këtij procesi gjyqësor.

Vendimin për përjashtimin e kamerave e mori kryetari i kolegjit- gjyqtari i EULEX-it Krasimir Malazgov, ndërkaq ai lejoi gazetarët të shkruajnë atë që ndodh në seancë, ndërsa shumë medie janë të pranishme.

Në seancë avokatët mbrojtës të Sylejman Selimit, Sami Lushtakut e Jahir Demakut kërkuan që procesi të kthehet në rigjykim, ose që Supremja të lirojë të mbrojturit e tyre, kryesisht me arsyetimin se aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave ligjore dhe përcaktim të gabuar të gjendjes faktike.

Në nëntor të vitit të kaluar Gjykata e Apelit ia bashkoi Sylejman Selimit dënimet nga grupet “Drenica 1 dhe 2”, duke e dënuar me 10 vjet burg, ndërsa Sami Lushtaku nga Apeli u dënua me 7 vjet burg. Edhe Jahir Demaku u dënua si Lushtaku, po me 7 vjet burg.

Më 27 maj 2015 Gjykata Themelore në Mitrovicë dënoi Sami Lushtakun me 12 vjet burg për një vrasje të kryer në vitin 1998, ndërsa Sylejman Selimit për keqtrajtim të civilëve gjatë luftës ia shqiptoi dënimin me burg prej 6 vjetësh në procesin “Drenica 1” , ndërsa me 8 vjet u dënua në “Drenica 2”./Kallxo.com/