Gjykata Themelore e Pejës: 30 ditë paraburgim për vrasësin e Agron Marmullakut

Kronika June 16, 2017 - 17:43

Pas 26 viteve arrati, Pjetër Gojani, është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është sjell para Gjykatës Themelore të Pejës si i dyshuar për vrasjen e Agron Marmullakut në vitin 1991 në Klinë.

Ndaj të dyshuarit, gjykata sot ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 1 muaji.

I dyshuari Pjetër Gojani gjendej në arrati qe 26 vjet si i dyshuar për vrasjen e Agron Marmullakut në vitin 1991 në oborrin e një restoranti në Klinë.

Pas gjithë këtyre viteve në arrati, Pjetër Gojani sot është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ka dalë para Gjykatës Themelore të Pejës si i dyshuar për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe lëndimit të rëndë trupor, njofton Gjykata Themelore në Pejë.

“I pandehuri është paraburgosur si i dyshuar kryesor se më 20.07.1991, rreth orës 08:00 në oborrin e Restorantit “Fontana “të Klinës, me dashje me armë të zjarrit ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.M. me çka ka kryer vepër penale nga neni 30 al.2 pika 2 te Ligjit Penal te Kosovës i cili ka qenë në fuqi në atë kohe”, thuhet në komunikatwn e Gjykatës.

“I pandehuri P.G., shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasje e rende nga neni 179 par. 1 pika 1.5 te KPRK-së dhe vepër penale lëndim i rëndë trupor nga neni 189 par. 1 lidhur me par. 5 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Komunikata thotë se i dyshuari është arrestuar sot nga Policia e Kosovës pas urdhër arrestit vendor dhe fletë rreshtimi ndërkombëtar ndaj tij.