Sulmohen me armë zyrat e kryetarit të Leposaviqit

Kronika May 30, 2017 - 10:46

Të hënën rreth orës 22:00, persona të panjohur kanë shtënë me armë nga një veturë në lëvizje në drejtim të ndërtesës së Qendrës për Punës Sociale, në të cilën ndodhen zyrat e kryetarit të Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, raporton "Zeri.info".

Është shtënë me armë edhe në zyrat e subjektit më të ri politik serb në Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, që udhëhiqet nga djali i kryetarit të Leposaviqit, Aleksandër Jabllanoviq, që ndodhen në të njëjtën ndërtesë. 

Kryetari i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, nëpërmes të një komunikate për medie, nuk ka dhënë shumë detaje, por vetëm ka konfirmuar se zyrat e tij kanë qenë të bllokuara pothuajse një javë dhe se të hënën pasdite ato ishin zhbllokuar.

Ai ka kritikuar Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, se nuk ka ndërmarrë asgjë për ta zbardhur rastin.

Ai madje tha se Policia nuk ka dalë fare në vendin e ngjarjes.

Sipas medieve lokale serbe në veri, janë bërë përpjekje për të kontaktuar me zyrtarë policorë në Drejtorinë- Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, por as drejtori i Drejtorisë Rajonale të PK, Nenad Gjuriq, as zëvendësi i tij, kapiten Besim Hoti e as shefi i Operatiëve, Zhelko Bojiq nuk janë përgjigjur për të dhënë detaje për sulmin.

Kryetari legal i Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq,  u ka thënë medieve serbe, se ndërtesa akoma ndodhet nën bllokadën e policisë dhe se është duke u pritur ardhja e hetuesve, të cilët do ta bëjnë ekspertizën e vendit të sulmit.

“Janë duke u pritur njerëzit që ta bëjnë ekspertizën. Është goditur e gjithë ndërtesa, janë thyer xhamat e dritareve, por të lënduar nuk ka. Bëhet fjalë për një rafal me armë automatike”, ka thënë Jabllanoviq, transmeton "Zeri.info".

Ai është shprehur se rastin do të duhej ta merrte “dikush më i madh”, duke aluduar në Policinë e Prishtinës.

Televizioni lokal “Mir” i Leposaviqit, ka njoftuar se Jabllanoviq të martën ka qëndruar në ambientet e Qendrës për Punës Sociale të Leposaviqit ku ndodhet zyra e tij.

Sipas këtij njoftimi, e marta ishte dita e parë e punës së Jabllanvoqit në zyrën e tij pas një jave qëkur njerëz të Zveçanit dhe të Mitrovicës kishin bllokuar zyrën e tij dhe nuk kishin lejuar të hyjë brenda. Ndërtesa e Qendrës për Punës Sociale ndodhet fare pranë ndërtesës së komunës së Leposaviqit, të cilën e shfrytëzon Organi i Përkohshëm i Leposaviqit, respektivisht kryetari ilegal i Leposaviqit, Zoran Todiq.

Kryetari Jabllanoviq shfrytëzon këtë zyrë brenda ndërtesës për Punë Sociale që nga viti 2015, për shkak të punimeve që po zhvillohen në renovimin e komunës në këtë qytet.

Dyshohet se prapa këtij sulmi qëndron grupi  i njerëzve që udhëhiqet nga Millan Radojçiq, i cili është drejtor i Qendrës për Punë Sociale dhe i cili ka deklaruar se Jabllanoviq ka uzurpuar zyrat e QPS, në të cilat janë planifikuar të zhvillohen ceremonitë e kurorëzimeve. /ZËRI/