Policia dhe Dogana e Kosovës konfiskojnë 21 vetura të padoganuara

Kronika May 25, 2017 - 11:18

Policia e Kosovës në bashkëpunim më Doganën kanë njoftuar se kanë konfiskuar 21 vetura të padoganuara, të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugorë, transmeton “Zeri.info”.

“Policia e Kosovës, konkretisht Divizioni i Komunikacionit Rrugor, ka hartuar planin operativ "Veturat e padoganuara". Plani ka filluar të zbatohet më 21 maj 2017 nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Prishtinë, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës. Realizimi i planit është duke vazhduar”, thuhet në njoftim

“Plani ka qëllim identifikimin, ndalimin dhe largimin nga komunikacioni të veturave të cilat qarkullojnë të padoganuara. Mjetet në fjalë nuk u nënshtrohen rregullave teknike dhe atyre procedurale, janë të pasiguruara dhe u shmangen të gjitha taksave të parapara ligjore. Gjithashtu, këto mjete jo rrallë herë janë pjesëmarrëse në aksidente të trafikut rrugor me çka rrezikohet siguria e pjesëmarrësve në trafik”.

Me datën 21.05.2017 në rajonin e Prishtinës, janë identifikuar dhe konfiskuar gjithsej 21 vetura të padoganuara të cilat janë hasur duke qarkulluar në trafikun rrugor.

Policia e Kosovës kërkon nga ngasësit e veturave të padoganuara që të mos dalin me vetura të tilla në trafik, pasi veturat e tilla do të ndalohen dhe sekuestrohen.