Rasti i Sami Lushtakut në Supreme më 20 qershor

Kronika May 22, 2017 - 19:10

Është caktuar data e shqyrtimit të ankesës kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit ndaj Sami Lushtakut në Gjykatën Supreme.

Ankesa e mbrojtjes për rastin "Drenica 1" do të shqyrtohet nga Gjykata Supreme më 20 qershor.

Lajmin e ka bërë të ditur për Gazetën Express avokati i Lushtakut, Arianit Koci.

Duke mos u pajtuar me vendimin e Gjykatës së Apelit që Sami Lushtakun e dënoi me 7 vite burg, avokati Koci i ishte drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës.

Koci përmes një njoftimi në faqen e tij në “Facebook” kishte bërë të ditura arsyet e ankesës.

“Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe e ka zëvendësuar me aktgjykim dënues për të pandehurin Sami Lushtaku, për veprën penale “cenimi i integritetit trupor dhe shëndetit të një numri të papërcaktuar të civilëve shqiptarë”, që ndërlidhet me Përgjegjësinë Komanduese të  pandehurit, duke e dënuar me shtatë (7) vite burgim”, thuhet në njoftimin e Kocit.

Në ankesën e tij, avokati Koci pretendon se Gjykata e Apelit aktgjykimin dënues nuk e ka mbështetur në prova të mjaftueshme.

“Pra, konstatimi i Gjykatës së Apelit lidhur me “fajësinë” e Sami Lushtakut është bërë duke u mbështetur në prova të pamjaftueshme, duke u bazuar vetëm në një deklaratë të një dëshmitari, të nxjerrë tërësisht nga konteksti dhe duke e zhvendosur barrën e provës në mbrojtjen, gjë e cila është në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare penale”, thuhet në njoftimin e Kocit.