Tentohet plaçkitja e 1 milion eurove në Jarinje

Kronika May 17, 2017 - 14:18

Një tentim plaçkitjeje ka ndodhur rreth mesditës në pikën kufitare në Jarinje, të mërkurën, raporton "Zeri.info".

Është sulmuar me armë një automjet i blinduar i kompanisë “Henderson”, e cila po barte shumë të madhe të parave nga Serbia në Leposaviq, rreth 1 milion euro.

Persona të panjohur kanë shtënë me armë në drejtim të automjetit, sipas policisë nga një automjet “Chrysler” me ngjyrë të bardhë.

Është shtënë edhe në pjesëtarët e Policisë së Kosovës, por të lënduar nuk ka pasur.

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, kapiten Besim Hoti, ka thënë se qëllimi i plaçkitësve ka qenë plaçkitja e parave parë që po barteshin me automjetin e blinduar të firmës “Henderson”, por që plaçkitja nuk është kryer.

“Ajo çfarë mund të them është se ka ndodhur një tentim-plaçkitje. Paratë nuk janë plaçkitur, ndërsa dyshohet se është shtënë nga një automjet i tipit ‘Chrysler” me ngjyrë të bardhë. Gjithashtu është shtënë edhe në pjesëtarë të policisë kufitare. Çka është me rëndësi të plagosur nuk ka, ndërsa policia është vënë në ndjekje të autorëve. Policia e ka formuar ‘unazen e çelikt’ në kërkim të sulmuesve”, ka thënë kapiten Hoti për "Zërin".

Sipas tij, transporti që shoqërohej nga Policia e Kosovës nga kufiri ka hasur në sulm të armatosur rreth 300 metra larg nga kufiri në territorin e Kosovës. 

Kompania “Henderson” është e regjistrua në Kosovës si firmë kompani private për sigurimin e njerëzve dhe të pasurisë.

Rreth orës 14:00 Policia ka kryer ekspertizën, ndërsa qarkullimi i automjeteve është normalizuar. 

Miodrag Lekiq, shef i Operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri u ka thënë medieve lokale serbe në veri, se policia ka vazhduar me kontrollin e automjeteve, të njerëzve dhe me bllokimin e disa rrugëve me qellim të kapjes së autorëve, që dyshohet se janë dy persona. 

Sipas policisë personat e dyshuar për këtë sulm të armatosur mbi automjetin e blinduar të kompanisë “Handerson” kanë ikur në territorin e Kosovës. /ZËRI/