Kronika

Prokuroria Speciale e Kosovës ngritë aktakuzë kundër Zoran Vukotiq

Prokuroria Speciale e Kosovës ngritë aktakuzë kundër Zoran Vukotiq
16 maj 2017 • 13 : 34 foto • zëri.info

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për krime lufte kundër popullsisë civile, kundër personit Zoran Vukotiq.

Sipas aktakuzës i pandehuri gjatë kohës sё konfliktit të armatosur nё Kosovё, mё 5 maj 1999, nё Vushtrri, në bashkëkryerje, ka vrarë katër persona Enver Rustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu si dhe ka rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar.

Aktakuza ndaj tij rëndon edhe për veprat si vijon:

Duke vepruar nё mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve tё nacionalitetit shqiptar me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenën fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur tё holla nё shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilet e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga tetë tё dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

© zëri.info