Kapet shqiptari, një ndër trafikantët e mëdhenj të drogës në Itali

Kronika April 22, 2017 - 17:47

Aromatizoi ambientin për të mbuluar erën e drogës, por policia italiane nuk e “ha” hilen e shqiptarit.

Një shqiptar 42-vjeçar i identifikuar si Arian Bashmeta, banues në Sanremo të Italisë, është arrestuar pasi është gjetur me 83 kile kanabis të fshehur në kantinë, me vlerë rreth 100 mijë euro.

Agjentët zbuluan se Bashmeta kishte vendosur deodorantë ambienti rreth e rrotull për të mbuluar aromën e fortë të marijuanës dhe për të mos krijuar dyshime te fqinjët e pallatit, shkruan SYRI.net.

I përzënë nga Italia e i kthyer në Shqipëri më 2015, Bashmeta ishte rikthyer në mënyrë klandestine më 2016. U gjet në Brescia dhe u arrestua për shkelje të vendimit për përzënie nga vendi.

Duke përfituar nga statusi i rregullt i të shoqes, u kthye në Sanremo për t’i hyrë shpërndarjes së drogës.

Në shtëpi, policia i gjeti mjete për ambalazhimin e drogës (mjete prerës, peshore elektronike) dhe para.