Pas arrestit shtëpiak, Naser Kelmendi kthehet në dy muaj paraburgim

Kronika April 19, 2017 - 15:16

I akuzuar për vrasje të rëndë, krim të organizuar dhe trafikim me drogë, Naser Kelmendi i cili ishte në arrest shtëpiak, tashmë është kthyer në paraburgim.

Lajmin e ka konfirmuar për Klan Kosova, Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari i cili tha se kolegji penal i Gjykatës së Apelit i ka caktuar Naser Kelmendit masën prej 2 muajsh paraburgim që llogaritet të jetë deri më 3 qershor.

Për më shumë ja njoftimi i plotë dhënë për Klan Kosova:

”Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës, i përberë nga dy gjyqtarë ndërkombëtarë të EUELX-it dhe një gjyqtar vendor, ka aprovuar me 13.04.2017, ankesën e prokurorisë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 03.04.2017, në lëndën PAKR 375/2014.

Aktvendimi I Gjykatës Themelore është anuluar, ndërsa ndaj të pandehurit Naser Kelmendi, është urdhëruar masa e paraburgimit prej 2 muajve, deri me 03.06.2017.

Gjykata e Apelit ka gjetur se ekzistojnë shkaqe ligjore të parapara në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, për caktimin e kësaj mase”.