Njëzetenjë vite burgim për vrasjen në Malishevë (Video)

Kronika March 30, 2017 - 21:31

 

I akuzuari Nexhat Krasniqi u shpall fajtor për vrasjen e Enver Kelmendit dhe për armëmbajtje pa leje.

Kryetar i trupit gjykues, Nikollë Komani, duke lexuar aktgjykimin tha se i akuzuari për veprën penale vrasje e rëndë dënohet me burgim në kohëzgjatje prej 20 vitesh, ndërsa për veprën penale mbajtja në kontroll e posedim të paautorizuar të armëve dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti e 6 muaj.

“Gjykata e gjykon me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 21 viteve, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim”, tha gjykatësi Nikollë Komani.

Vrasja për të cilën u dënua i akuzuari ka ndodhur më 11 shtator të vitit 2016 në Malishevë.

Sipas përshkrimit të rastit në aktakuzë, kur Krasniqi dhe viktima ishin ulur në shkallët e një shtëpie në ndërtim e sipër, për një moment i pandehuri kishte nxjerrë nga brezi një revole dhe me një të shtënë e kishte qëlluar të ndjerin Enver Kelmendi në pjesën e pasme të kokës.

Pas ekzekutimit, i akuzuari i kishte marrë viktimës një shumë të hollash prej 10 mijë euro, të ndara në dy pjesë.

Në fillim të procesit gjyqësor i akuzuari e kishte pranuar fajësinë. /kallxo.com/