Itali, tre qytetarë të Kosovës arrestohen për terrorizëm (Video)

Kronika March 30, 2017 - 18:40

Policia italiane tha se ka arrestuar tre persona dhe ka ndaluar një të mitur gjatë një operacioni për shkatërrimin e një celule të dyshuar ekstremiste në qendër të Venedikut.

Policia tha se dymbëdhjetë bastisje janë kryer në qendrën historike të qytetit si dhe qytetet aty pranë Mestre dhe Treviso.

Të gjithë të arrestuarit janë me prejardhje nga Kosova por me leje qëndrimi në Itali. Ata ishin vëzhguar për një kohë nga policia nën dyshimet se mund të jenë përfshirë në veprimtari radikale fetare.

Kryeprokurori i Venedikut Adelchi D'Ippolito, tha se të paktën edhe tre shtetas të Kosovës janë nën hetime për shkak të lidhjeve me të arrestuarit.

Policia ishte vëzhguar grupin që nga vitit i kaluar. Ajo ka përgjuar telefonat dhe banesat e tyre dhe ka ndjekur komunikimet në internet dhe ajo që është gjetur ishte "shqetësuese dhe brengosëse", tha prokurori. Grupi kishte shprehur një mbështetje të pakushtëzuar për Shtetin Islamik, tha ai.

Të arrestuarit, sipas autoriteteve, kishin kremtuar pas sulmit vdekjeprurës të 22 marsit në Londër, ndërsa në përgjime njëri prej tyre dëgjohet të ketë thënë se "duke pasur parasysh sa shumë jobesimtarë ka në Venedik, do të shkonim drejt në parajsë nëse vendosim një bombë në urën Rialto", që është e shekullit të 16-të dhe një nga pikët më të vizituara.

Nuk është e qartë nëse deklarata ishte një kapardisje apo paralajmëronte një rrezik të menjëhershëm.

Presidenti i Parlamentit Evropian, bëri thirrje pas arrestimeve të sotme që vendet e Bashkimit Evropian të jenë më të kujdesshëm me rajonin e Balkanit.

"Ka shumë terrorist që vijnë nga Raqqa, nga ISIS-i. Sot policia italiane ndaloi katër terrorist që vinin nga Kosova. Kujdes me Ballkanin. Ne duhet të punojmë së bashku edhe në këtë rajon, kemi nevojë për qëndrueshmëri derisa angazhimi evropian është thelbësorë për këtë rajon", tha ai.

Italia ka deportuar 153 të dyshuar për terrorizëm që nga janari i vitit 2015 dhe 21 syresh që nga fillimi i këtij viti.

Më herët gjatë këtij muaji, Italia dëboi një tunizian që dyshohej për lidhje me Anis Amrin, autor i një sulmi më kamion në një treg të Berlinit në muajin dhjetor, që la pas vetes 12 të vrarë. Amri qe vrarë nga policia italiane disa ditë më pas në Milano.

Në muajt nëntor dhe dhjetor të vitit 2015, policia italiane kishte arrestuar në dy operacione të ndryshme katër shqiptarë nga Kosova nën dyshimet për përfshirje në nxitjen e terrorizmit.

Kosova është përballur me dukurinë e përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat e huaja që nga fillimi i konfliktit në Siri. Që atëherë rreth 317 qytetarë të Kosovës besohet se janë përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rreth 60 veta kanë humbur jetën. Rreth 120 syresh janë thyer prej andej, kryesisht të zhgënjyer me atë me të cilën janë përballur. Edhe me tej, në atë zonë besohet se janë rreth 140 qytetarë të Kosovës.