Ja si ndodhi rrahja në ndërtesën e Komunës së Suharekës

Kronika March 28, 2017 - 20:26

Sot gjatë ditës brenda në ndërtesën e komunës së Suharekës ka pasur një përleshje fizike, e cila ka ndodhur në mes të dy drejtuesve të firmave të autobusëve që dërgojnë nxënësit e shkollave të mesme në ekskursion në Shqipëri.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha ka dhënë detaje në lidhje me këtë përleshje e cila ka ndodhur sot.

Ai për lajmi.net ka thënë se deri te përleshja ka ardhur gjatë kohës sa në ndërtesën e Komunës po mbahej mbledhja ku po diskutoheshin ofertuesit për dërgimin e nxënësve në Shqipëri.

“Në ndërtesën e Komunës sot ka pasur një mbledhje ku janë diskutuar ofertat e kompanive të transportuese për dërgimin e nxënsve në ekskursionin në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe dy nga drejtuesit e kompanive kanë pasur një ngatrresë e cila ka kaluar në përleshje fizike” është shprehur Berisha.

Ai ka konfirmuar se nga kjo ngjarje nuk ka pasur të lënduar, por që dy të dyshuarit janë në arrest.

“Nga rrahja nuk ka të lënduar, kurse të dyshuarit kanë mbetur në mbajtje për t’i kryer procedurat e caktuara të arrestit”, ka thënë Hazir Berisha për lajmi.net.

Përleshja ka ndodhur sot gjatë ditës.