Kapen afër 30 kilogramë heroinë në pikëkalimin kufitar të Kullës (FOTO)

Kronika March 24, 2017 - 16:53

Doganat e Kosovës kanë bërë të ditur se gjatë kontrollimit të automjeteve që vinin nga Mali i Zi për në Kosovë, oficerët doganor së bashku me ata policorë kanë arritur të kapin rreth 30 kg lëndë narkotike të llojit heroinë tek një shtetas i Malit të Zi.

Sipas njoftimit, rreth orëve të mesditës së sotme në pikë-kalim ka arritur një automjet me targa të Malit të zi i cili drejtohej nga një shtetas i po këtij vendi.

Gjatë pyetjeve fillestare, thuhet më tej në njoftim, oficerët doganor kanë vërejtur se personi ka frikë dhe e kanë ndalur për kontroll të mëtejmë.

“Oficerët kanë filluar kontrollin me pajisjet e specializuara amerikane ku në pjesët anësore të automjetit ka pasur indikacione se ka diçka të fshehur, në ato momente personi i dyshuar ka tentuar që të futet në veturë dhe të largohet por falë intervenimit të oficerëve doganor dhe policor personi është ndaluar dhe arrestuar”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se vetura është futur për kontrolle detale, ku gjatë kontrollit në pjesën e pasme të veturës – mbrapa dyerve të vozitësit nga ana e majtë, janë gjetur 7 qese të zeza dhe nga ana e djathtë mbrapa dyerve të bashkudhëtarit po ashtu 7 qese të zeza të ngarkuara me substancën e dyshuar narkotike e llojit heroin.

Sipas Doganave, rasti dhe sasia prej rreth 30 kg substancë narkotike i është dorëzuar policisë derisa personi është arrestuar. 

Image

Image

Image