Lutfi Zharku nën hetime

Kronika March 23, 2017 - 07:52

Prokuroria Speciale e Kosovës ka nisur hetimet ndaj ministrit të Infrastrukturës, Lutfi Zharku.

Ai, sipas Prokurorisë, dyshohet të jetë përfshirë direkt në dallavere me leje për kyçje të kompanisë “Al Petrol” në rrugën nacionale në hyrje të në autostradës “Ibrahim Rugova” në Çagllavicë.

“Arbresh.Info” ka siguruar dosjen e dokumentacioneve, i cili tregon se Zharku ka bërë shkelje duke i lëshuar një herë leje kësaj kompanie e pastaj duke ia revokuar, me qëllim të përfitimit, bashkë me disa zyrtarë të tjerë.

Ministri Zharku, bashkë me nipin e tij, Beqir Shehu, Gjyhjet Mustafa, Fisnik Cakaj e Nazmi Gashi e disa të tjerë dyshohen se në bashkëveprim me qëllim të përfitimit kanë keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar, duke anuluar kundërligjshëm vendimin me nr. 2162/2016, të datës 03.05.2016. Vendim ky që jepte pëlqimin për kyçje të kompanisë “Al Petrol” në Rrugën Nacionale 25.2. hyrja në autostradë.

Në dokumentet e siguruara nga “Arbresh.Info” shihet se Departamenti Special Antikorrupsion i Policisë së Kosovës, më 6 dhjetor të vitit 2016, ka kërkuar të dhëna shtesë nga Inspektorati i Infrastrukturës Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës për këtë çështje.

Në kërkesën e Antikorrupsionit, drejtuar MI-së, kërkohen procesverbalet e Inspektoratit të Infrastrukturës gjatë inspektimit të punimeve në pikën e karburantit “Al Petrol”, me seli në Rrugën Nacionale në drejtim të Çagllavicës në hyrje të rrethrrotullimit të autostradës, në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Po ashtu, i kërkohet i gjithë dokumentacioni i dorëzuar në MI nga parashtruesi i kërkesës “Al Petrol” mbi aplikimin për kyçje në Rrugën Nacionale, raporti mbi shqyrtimin e kërkesës nga zyrtarët përgjegjës të MI-së, raporti u Komisionit mbi Ndërprerjen e Punimeve, si dhe dokumentacionin që ndërlidhet me lëndën në fjalë. Merret vesh se Prokuroria Speciale nuk ka gjetur ende bazë ligjore përse është anuluar leja dhe nuk është shfrytëzuar e drejta e ankesës nga pala e pakënaqur në kohën kur ende kishte mundësi ankese ligjore.

Vendimi i datës 3 maj 2016 për dhënien e pëlqimit për kyçje të kompanisë “Al Petrol” në autostradë shihet se kishte këshillën juridike që pala e pakënaqur mund të ushtrojë ankesë në Komisionin e MI-së, në afat prej 30 ditësh, afat këtë të cilin ministri Zharku nuk e kishte shfrytëzuar.

Por Zharku kishte angazhuar auditimin e brendshëm që të bëjë raport të jashtëzakonshëm dhe pas marrjes së këtij raporti, më 8 gusht 2016, kishte nxjerrë vendimin me të cilin kishte pezulluar vendimin e datës 3 maj 2016, në të cilin lejohej kyçja e “Al Petrol”-it në autostradë në Çagllavicë, tek vendi i quajtur “Gllogu te Shelqet”.

Përveç kësaj, Zharku kishte nxjerrë edhe një vendim tjetër, atë për themelimin e komisionit për shqyrtimin e vendimit të 3 majit 2016, ku lejohej kyçja e “Al Petrol”-it në autostradën në fjalë, vendim ky që ishte kompetencë e sekretariatit të përgjithshëm të Ministrisë.

Komisioni ishte thirrur në Nenet 100, 101 dhe 102 të Ligjit nr.02/L-28 për Procedurën Administrative, ligj ky që është shfuqizuar më 25 maj 2016 me Ligjin nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, i shpallur më 13 qershor 2016 nga presidenti Hashim Thaçi.