Gjykatat s’i zgjidhin as gjysmën e lëndëve për korrupsion

Kronika March 17, 2017 - 08:02

Nëse sistemi gjyqësor vazhdon me këtë tempo të punës, në vitin 2029 nuk do të ketë lëndë të grumbulluara në gjykatat e Kosovës. Kështu kanë deklaruar të enjten drejtuesit e Lëvizjes “Fol” me rastin e prezantimit të raportit: “Përtej numrave-performanca e gjyqësorit në luftën kundër korrupsionit” për vitin 2016.

 Në bazë të këtij raporti, Lëvizja “Fol” performancën e gjykatave për 12 muajt e kaluar e ka cilësuar si të mirë, por nuk ndan këtë mendim edhe për vitet paraprake.

“Raporti është statistikor dhe është vetëm për fushën e antikorrupsionit, pa përfshirë lëndët tjera. Performanca në shtatë qendrat kryesore të Kosovës ka dalë të jetë e mirë, por vetëm për 12 muajt e kaluar dhe jo për vitet paraprake”, u tha në konferencë.

Megjithatë, fluksi i lëndëve të zgjidhura në nivel vendi, sipas këtij raporti, del të jetë jo i kënaqshëm.

“Nga 639 lëndë për korrupsion, gjykatat kanë arritur t’i zgjidhin 284 prej tyre, ndërsa janë bartur për vitin 2017 plot 355 lëndë. Raste të reja, sipas këtij raporti, kanë qenë 232, ndërsa përgjatë vitit 2016 kanë arritur t’i zgjidhin 284 lëndë. Sipas përllogaritjes, e bazuar në formulën e CEPEJ-së, norma e zgjidhjes së lëndëve është 122% (për qind) për vitin 2016 në nivel kombëtar në fushën e kundërkorrupsionit”, thuhet në këtë raport.   

Sipas kalkulimeve të Lëvizjes “Fol”, nëse punohet me këtë tempo vetëm në vitin 2029 nuk do të ketë grumbullim të lëndëve. Ndërkaq nga natyra e lëndëve, dënimi kryesor ka dalë të jetë keqpërdorimi i autoritetit zyrtar.

“Raporti i qarkullimit të lëndëve për vitin 2016 qëndron në 0.8 ndërkaq sipas statistikave zyrtare llogaritet se në Kosovë janë mbi 400 mijë lëndë të papërfunduara”, thuhet në këtë raport.

Lëvizja “Fol” këto rezultate i ka bazuar në hulumtimin e bërë në qendrat kryesore të Kosovës, në Prishtinë, Prizren, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Pejë dhe në Mitrovicë. Në bazë të statistikave Gjakova dhe Mitrovica kanë dalë me performancë më të mirë gjyqësore. Mirëpo, sipas Lëvizjes “Fol”, shkaktar kyç në ngritjen e performancës për këto dy qytete është numri më i ulët i fluksit të lëndëve, krahasuar me kryeqytetin.

“E shprehur në vite, Gjykata e Gjakovës ka kohën më të shpejtë të nivelizimit të lëndëve e përcjellë nga Mitrovica dhe Ferizaj. Arsyeja qëndron në faktin se Gjakova ka zgjidhur numrin më të lartë të lëndëve përcjellë nga Mitrovica dhe Ferizaj. Nëse fluksi i lëndëve për vitin 2017 vazhdon të jetë i njëjtë me trendin e zgjidhjes së lëndëve, Gjakova do të jetë e para e cila do t’i përfundojë lëndët e grumbulluara”, thuhet në këtë raport.

Sipas këtij raporti, nëse Prishtina, Prizreni dhe Peja vazhdojnë me këtë tempo të punës nuk do të arrijnë në pafundësi ta bëjnë nivelizimin e lëndëve të grumbulluara. Lëvizja “Fol” ka paralajmëruar që shumë shpejt do të dalë edhe me rezultatet e raportit për Prokurorinë për periudhën e vitit 2016.