Arrestohet mësuesja e teologjisë në Shkodër, nxiti nxënësit pro ISIS dhe Bin Laden

Kronika January 19, 2017 - 17:50

Pasi e ka marrë për orë të tëra në pyetje, Drejtoria e Anti-terrorit në Policinë e Shtetit ka vënë në pranga mësuesen e Medresesë së Shkodrës “haxhi Sheh Shamia” për nxitje të urrejtjes.

Ngjarja është bërë publike ditën e djeshme gjatë transmetimit të një videoje në emisionin investigativ “Stop”, ku mësuesja e teologjisë Emine Alushi 39 vjeç gjatë një ore mësimi, debaton me nxënëset duke bërë deklarata në favor të organizatës famëkeqe ISIS dhe ish-kreut të organizatës terroriste Al Qaeda, Bin Laden. 

Ajo u pezullua pas skandalit.

Në deklarimet e marra drejtuesve të shkollës në fjalë, si dhe nga deklarimet e marra vetë mësueses, provohet se është ajo në videon e shfaqur në emisionin “Stop”.

Policia thotë se janë kryer veprimet e tjera procedurale, duke sekuestruar videon dhe transkriptin e bisedës së zhvilluar në klasë, ku dëgjohen qartë pohimet e kundraligjshme.

Në përfundim të procedurave, Policia ka arrestuar në flagrancë mësuese Alushi, banuese në Shkodër, për veprën penale “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve” parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal.

Policia e Shtetit thotë se strukturat e specializuara të Anti-terrorit po vazhdojnë punën për hetimin e mësueses apo edhe faktin nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë në këtë aktivitet të kundraligjshëm. /Gazeta Express/