Për nëntë muaj prokurorët zgjidhën 1 mijë lëndë

Kronika January 14, 2017 - 08:30

Përgjatë muajve janar – shtator 2016, në Prokurorinë e Shtetit kanë arritur 1111 kallëzime penale, në të cilat kanë qenë të përfshirë 1773 persona. Ndërsa, nga ky numër, prokurorët kanë arritur që t’i zgjidhin 996 lëndë me 1880 persona apo kthyer në përqindje, përgjatë kësaj periudhe kohore i bie që prokurorët kanë zgjidhur 89 për qind të lëndëve të cilat iu kanë shkuar në punë.

Kështu ka bërë të ditur Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial, gjatë raportimit të raportit nëntë mujor të Mekanizmit Përcjellës të statistikave për periudhën janar – shtator 2016.

Duke e prezantuar raportin para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Krasniqi ka bërë të ditur se prokurorët e të gjitha prokurorive në vend për nëntë muaj kanë arritur që t’i zgjedhin 996 lëndë, në të cilat kanë qenë të përfshirë 1880 persona. 

Ndërkaq, për sa u përket subjekteve të cilat kanë parashtruar kallëzime penale përgjatë kësaj periudhe raportuese prin Policia e Kosovës, e cila ka paraqitur 812 kallëzime penale, e pasuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit me 65 kallëzime penale, Doganat 51 kallëzime penale, të dëmtuarit me 52 kallëzime penale dhe qytetarët me 47 kallëzime penale të parashtruara.

Kurse, të gjeturat në këtë raport nëntëmujor sipas kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është dëshmi se prokuroret kanë bërë një punë të mirë, ku kanë arritur t’i zgjidhin 89 për qind të rasteve të cilat iu kanë shkuar në punë.

“Sipas raportit shihet se prokurorët e kanë kryer një punë relativisht të mirë prej 1111 kallëzimeve penale, janë kryer 996 raste. Do të thotë mbesin të pakryera 115 raste, kthyer ne përqindje i kemi të kryera 89 për qind të rasteve. Mirëpo, duhet ta bëjmë një krahasim me vitet e kaluara. Në përgjithësi kanë mbetur të pakryera 2220 raste, me 4387 persona, pra është rritur me 115 numri i rasteve të pakryera krahasuar me vitin 2015”, ka deklaruar i pari i Prokurorisë në vend.

Mirëpo, Lumezi ka thënë se ka disa vërejte në punën e prokurorëve, sidomos me trajtimin e lëndëve që kanë të bëjnë me armëmbajtje pa leje.

“Unë i kam disa vërejte sa i përket punës së prokurorëve sa i përket rasteve me armëmbajtje pa leje ku kanë mbetur të pakryera 31 raste të kësaj natyre. Është e paarsyeshme sepse për këto raste nuk duhet ndonjë hetim i madh dhe për një kohë të shkurtë arrihen suksese në zgjidhjen e këtyre lëndëve”, ka deklaruar Lumezi.

Në anën tjetër, ai ka thënë se prokurorët kanë bërë punë të mirë në luftimin e veprave që kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit dhe lëndëve narkotike.

“Në bazë të këtij raporti sukses ka pasur në rastet që kanë të bëjnë me drogë, ku janë zgjidhur 307 raste vetëm gjatë nëntë mujorit të këtij viti. Po ashtu kemi pasur sukses edhe në trajtimin e rasteve të korrupsionit ku janë kryer 333 raste me 596 persona. Po ashtu kemi pasur sukses edhe në trajtimin e rasteve të korrupsionit ku janë kryer 333 raste me 596 persona.

Ndërsa, janë paraqitur 354 raste gjatë këtij viti. Pra kanë mbetur vetëm 21 lëndë të pakryera. Është një sukses i mirë i prokurorëve të cilët i kanë hetuar këto raste”, ka deklaruar në fund kryeprokurori i shtetit.