Korrupsioni në Deçan: Policia prangos gjykatësen Safete Tolaj me të birin

Kronika January 13, 2017 - 16:34

Bashkë më djalin e saj, Fisnik Tolaj, është arrestuar edhe gjykatësja mbikëqyrëse e degës në Deçan të Gjykatës Themelore në Pejë, Safete Tolaj.

Të dy, u arrestuan nga Njësiti Kundër Krimeve Ekonomike në Pejë si të dyshuar për korrupsion.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë për Gazetën Express se lidhur me këtë rast janë konfiskuar disa prova materiale që ndërlidhen me rastin.

“Policia e Kosovës, në këtë rast Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe korrupsion, sot ka realizuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Pejë lidhur me një rast të dyshuar të Ushtrimit dhe Ndikimit”, ka thënë Kelani.

Ekipe policore sot në mëngjes e kanë arrestuar në shtëpinë e tij në Prilep të Deçanit, Fisnik Tolajn, ndërsa janë duke kryer kontrolle edhe në zyrat e gjykatës së Deçanit.

Kelani konfirmon se njësitet policore janë duke i vazhduar hetimet lidhur me rastin.

Safete Tolaj në vitin 2010 deri në vitin 2012 u zgjodh kryetare në Gjykatën Komunale në Deçan. Në fillim të janarit 2013 Tolaj u emërua si Gjyqtare Mbikëqyrëse në Gjykatën Themelore në Pejë – dega në Deçan.