Prokurori do ta kundërshtojë lirimin e Enver Hasanit

Kronika January 11, 2017 - 19:17

Prokurori Abdurrahim Islami paralajmëroi se do ta kundërshtojë vendimin e Gjykatës së Apelit për shfajësim të Enver Hasanit nga akuzat për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumenti.

Pasi Gjykata e Apelit njoftoi dje se hodhi poshtë aktakuzën dhe pushoi hetimet ndaj Enver Hasanit për aktakuzën ku ai si kryetar i Gjykatës Kushtetuese akuzohej për falsifikim të nënshkrimit të një anëtari ndërkombëtar të saj, prokurori special Abdurrahim Islami bëri të ditur se do ta kundërshtojë këtë vendim.

Abdurrahim Islami që përfaqësoi Prokurorinë Speciale në këtë gjykim ndaj Enver Hasanit tha për KALLXO.com se ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit do të parashtrojë kërkesë për mbrojtje ligjshmërie në Gjykatën Supreme.

Ky prokuror edhe dje kur foli për KALLXO.com, aktakuzën ndaj Hasanit që u hodh poshtë nga apeli e konsideroi të bazuar.

“Prokuroria konsideron se të gjitha provat në bazë të të cilave është ngritur aktakuza janë marrë në harmoni me kodet në fuqi dhe janë të ligjshme dhe në këtë rast nuk ekziston asnjë rrethanë që do ta përjashtojë përgjegjësinë penale ndaj të pandehurit,” tha dje Islami.