Vdes një person në Pallatin e Drejtësisë

Kronika January 11, 2017 - 15:36

Sipas Mirlinda Gashit, personi që ka vdekur në Pallatin e Drejtësisë ka qenë palë në procedurë në një çështje civile.

Një person ka vdekur dje në ambientet e Pallatit të Drejtësisë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.Gashi ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Civile. Sipas saj, personi që ka vdekur është F.Sh., rreth 50-vjeç.

Mirlinda Gashi tregoi se personi në fjalë ka qenë palë në procedurë në një çështje civile.

Ajo ka thënë se sipas dëshmitarëve, tashmë i ndjeri për një moment nuk është ndjerë mirë dhe është alivanosur.

“Gjykata Themelore menjëherë ka njoftuar ndihmën e shpejtë, e cila pavarësisht përpjekjeve nuk ka arritur ta rikthejë në jetë të ndjerin”, ka thënë Mirlinda Gashi për KALLXO.com.

Gashi ka treguar se lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës.

Ndërkohë që shkaqet e kësaj vdekjeje ende nuk dihen, Pallati i Drejtësisë që nga vënia në funksion është shoqëruar me probleme teknike./Kallxo.com/