Dënimet për terrorizëm, 'të arsyeshme'

Kronika January 11, 2017 - 08:15

“Gjaku i qafirëve është pija më e mirë për ne”, ishte thënia që e kishte përdorur para besimtarëve të xhamisë “El-Kuddus”, në Gjilan, imami Zekria Qazimi.

Për këtë fjalë në muajin maj të vitit të kaluar ai është dënuar nga drejtësia kosovare me dhjetë vjet heqje lirie.

“Nxitja e urrejtjes fetare”, “Rekrutimi”, “Pjesëmarrja në luftëra të huaja dhe thirrja për rezistencë” kanë qenë disa nga veprat penale, të cilat kanë ulur para bankës së të akuzuarve klerikë fetarë dhe qytetarë të ndryshëm të Kosovës.

Nën këto akuza pjesa më e madhe e atyre, të cilët kanë qenë subjekt i ndjekjes penale, janë shpallur fajtorë. Ndërkaq, duke i vlerësuar dënimet e shqiptuara për “Terrorizëm” si vendime adekuate, njohës të çështjeve penale në vend bëjnë me dije se dënimet për këtë kategori të personave janë në harmoni më veprat për të cilat këta të pandehur janë akuzuar.

Përdorimi i gjuhës radikale gjatë predikimeve fetare ka bërë që Prokuroria Speciale të fillojë ndjekjen penale edhe ndaj disa imamëve në disa nga xhamitë më kryesore të vendit.

Organi i akuzës, në qershor të vitit të kaluar, ka ngritur aktakuzë edhe ndaj disa imamëve të tjerë.

Organi i akuzës ka filluar ndjekjen penale edhe ndaj kryeimamit të Pjesës, Enes Gogës, imamëve nga Prizreni, Idriz Bilibanit dhe Mallzom Mazllomit, imamit nga Prishtina, Bedri Robajt, dhe kryetarit të LISBA-s, Fuad Ramiqit.

Ndërkaq, për këtë vepër penale një muaj më herët Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte dënuar me dhjetë vjet heqje lirie ish-imamin i xhamisë “El-Kuddus”, në Gjilan, Zekria Qazimin së bashku me gjashtë persona të tjerë.

Mirëpo, jo vetëm gjuha radikale ka vënë nën pranga të akuzuarit për “Terrorizëm”.

Për përgatitje të veprave terroriste janë dënuar edhe pesë të akuzuarit e grupit të njohur si “Badoci”, të cilëve Gjykata Themelore e Prishtinës u ka shqiptuar dënim unik prej 47 vjetësh.

Po ashtu, për përgatitje të një sulmi terrorist në Kosovë është dënuar edhe serbi, Sllobodan Gavriq, i cili është dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 13 vjet heqje lirie.

Ndërkaq, përveç veprave për përgatitje të aksioneve terroriste nën llupën e Hetuesisë dhe të drejtësisë vendore kanë qenë edhe të dyshuarit për rekrutim të terroristëve.

Për veprën penale të “Rekrutimit dhe financim të terrorizmit” është dënuar biznesmeni, Fatos Rizavolli, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Ferizaj ka shqiptuar dënim prej 7 vjet heqje lirie.

Po ashtu, për akuzat se i ka nxitur të rinjtë kosovarë të shkojnë drejt Sirisë për të luftuar përkrah organizatës terroriste ISIS, Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar edhe Musa Ademin me pesë vjet heqje lirie.  

Dënimi maksimal i shqiptuar për “Terrorizëm” është 13 vjet

Kurse gjykatat të cilat kanë qenë më të ngarkuara me veprat penale të “Terrorizimit” kanë qenë Gjykata Themelore e Prishtinës dhe ajo e Ferizajt.

“Zëri” ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Ferizaj të dhëna në lidhje me dënimet e shqiptuara nga kjo instancë gjyqësore gjatë vitit 2016 për veprat penale që ndërlidhen me “Terrorizëm”, mirëpo ata nuk janë përgjigjur për gazetën.

Për dallim nga Gjykata Themelore e Ferizajt, ajo e Prishtinës ka bërë të ditur se përgjatë vitit të kaluar ka shpallur 10 aktgjykime për “Terrorizëm”. Sipas zyrtares për Informim, Mirlinda Gashi, të akuzuar për “Terrorizim” përgjatë vitit të kaluar kanë qenë 26 persona. 

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë për veprat penale të ‘terrorizmit’ gjatë periudhës 01.01.2016 – 30.11.2016 ka shpallur 10 aktgjykime. Dënimi maksimal i shqiptuar nga Gjykata ka qenë dënimi me 13 vjet burg, ndërsa janë dënuar 26 të akuzuar për veprat penale të ‘Terrorizmit’”, ka deklaruar Gashi.

Salihu: Dënimet për “Terrorizëm”, adekuate

Ndërkaq dënimet e shqiptuara nga ana e gjykatave të vendit ndaj këtyre të pandehurve për “Terrorizëm” po vlerësohen si të përshtatshme nga njohës të çështjeve penale.

Profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, i cili është njëri ndër hartuesit e Kodit Penal të Kosovës, ka deklaruar se dënimet për këtë kategori të njerëzve janë adekuate.

“Për personat të cilët kanë organizuar, rekrutuar dhe i kanë shtyrë të tjerët që të shkojnë atje dënimet janë adekuate. Ndërsa, për rastet ku individët kanë shkuar atje, kanë marrë pjesë si individë janë kthyer për këto raste unë mendoj që dënimet janë më të rënda. Për këta persona unë mendoj që është dënimi shumë i rëndë. Ndërsa, disa imamë të cilët nëpër xhami kanë ligjëruar, kanë bërë propagandë që të marrin pjesë në luftën e shenjtë islame këta janë dënuar me dënime adekuate të rënda”, ka deklaruar profesori Salihu.

Ndërkaq sipas avokatit Arianit Koci, dënimet për të akuzuarit e veprave penale të “Terrorizmit” nuk janë të buta. Sipas Kocit, kur kemi të bëjmë me raste të “Terrorizmit” gjykatat për shkak të presionit që vjen nga publiku nuk i shoshitin mirë çështjet.

“Në fakt, dënimet nuk janë edhe aq të buta. Përkundrazi, ato janë në përputhje me ligjin. Por kam përshtypje që në disa raste, për shkak të presionit të publikut gjykatat i marrin disa fakte të vërtetuara, pa e shoshitur çështjen mirë. Thjesht, çdo rast duhet të trajtohet individualisht dhe me kujdes maksimal. Gjykatat nuk guxojnë assesi të bëjnë gjueti të shtrigave në rastet e radikalizmit fetar. Terrorizmin nuk mund ta luftojmë me padrejtësi dhe kundërligjshmëri”, ka deklaruar avokati Koci.

Klerikët duhet të dënohen edhe nga institucionet fetare

Në anën tjetër i pyetur rreth ligjërimeve në mënyrë më radikale nga disa imamë, të cilët janë të akuzuar për veprat penale të “Terrorizmit”, teologu i fesë islame, Zuhdi Hajzeri, është shprehur se format e kundërta të ligjërimit së pari duhet të dënohen nga institucionet fetare, si dhe nga ato shtetërore.

“Duhet të jenë më të kujdesshme, por edhe më vigjilente....forma tjetër e ligjërimit e kundërt me atë që e kanë në rregullat e tyre institucionet fetare duhet të dënohet dhe të merren masa menjëherë nga institucionet fetare dhe nëse nuk arrijnë t’i ndalin këto duhet kërkuar ndihmë nga organet shtetërore... sepse forma e ligjërimit është vetëm një e drejtë dhe e vërtetë ashtu qysh e kanë të rregulluar institucionet fetare”, ka thënë Hajzeri.

Sipas tij, duhet një bashkëpunim më i mirë jo vetëm formal me organet shtetërore në aspektin e ekstremizmit.

Ndërkaq, sipas të dhënave të institucioneve të sigurisë në vend që nga viti 2012 në drejtim të Sirisë kanë udhëtuar afro 300 shtetas të Kosovës.

Ndërsa, pjesë aktive e grupeve terroriste aktualisht janë rreth 70 kosovarë.