Gjykata Speciale aktivizohet në fillimvit

Kronika December 27, 2016 - 08:07

Njohësit e çështjeve juridike e ekspertët e Kushtetutës fajësojnë Bashkimin Evropian  për mosfillimin e punës së Speciales, pasi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e saj.

Ndërkohë paralajmërojnë se tremujori i parë i vitit të ardhshëm do të jetë shumë “i nxehtë”.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se Gjykata do të fillojë me ngritjen e akuzave në muajt e parë të vitit 2017 dhe menjëherë pas këtyre akuzave do të pësojnë edhe arrestimet.

Ndërkohë që kritikojnë Bashkimin Evropian për vonesat edhe pse u kishte bërë një presion të madh institucioneve të Kosovës që me çdo kusht dhe sa më parë të miratohej ligji dhe të nënshkruhej.

“Kosova i ka kryer ato obligime, ndërkaq bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë mjaft efikase dhe efiçiente”, ka thënë eksperti i çështjeve juridike-kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Sipas tij, tani është momenti i fundit që kjo Gjykatë të veprojë dhe të përfundohet me ankthin e kosovarëve.

“Është momenti i fundit të ketë më shumë përgjegjësi bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë BE-ja dhe shteti i Holandës bashkë me të tjerët që ta funksionalizojnë këtë Gjykatë dhe ta bëjnë punën sa më parë që të mos zvarritet me vite, siç ka qenë puna me tribunat e tjera e të mbahet peng i tërë populli i Kosovës dhe të lihen njerëzit në ankth dhe në stres”, ka potencuar ai.

Në anën tjetër hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se ngritja e aktakuzave do të fillojë në muajt mars-prill.

“Varësisht se sa kohë ia merr Gjykatës për miratimin e rregullave të brendshme, varet edhe koha kur do të ngrihen aktakuzat e para. Sidoqoftë, në këtë fazë muaji mars apo prill mund të shihen si afate të mundshme kur do të fillojë me ngritjen e aktakuzave nga Prokuroria”, ka deklaruar ai,

 Sipas Miftarajt, udhërrëfyes për punën e Prokurorisë pa dyshim se mbeten pretendimet e publikuara në raportin e senatorit Marty.

“Në të cilin raport përmenden figura të larta, që aktualisht ushtrojnë funksione publike apo që kanë ushtruar në të kaluarën funksione publike dhe shtetërore, apo individë të tjerë”, ka thënë Miftaraj.

Ai më vonë shton se ngritja e aktakuzave do të sjellë edhe tek arrestimet e para.

“Tanimë Gjykata Speciale është në fazën finale të funksionalizimit. Me emërimin e kryeprokurorit dhe kryetares së Gjykatës ka mbetur edhe miratimi i rregullave të brendshme, ku në praktikë mundëson që prokurorët të mund të fillojnë me dërgimin e aktakuzave në Gjykatë për procedura të mëtutjeshme”, ka përfunduar Miftaraj.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhevdet Jashari, ka ritheksuar faktin se kjo Gjykatë do t’i sjellë vetëm të këqija Kosovës.

“Kosova nuk ka nevojë për një gjykatë të tillë, Gjykatë Speciale, për të vërtetuar se çfarë ka qenë lufta çlirimtare e Kosovës, është e pamoralshme nga ata të cilët e kanë sjellë këtu dhe do të jenë fajtorë të gjithë ata që e kanë votuar këtë Gjykatë”, ka deklaruar ai.

Drejtori i “RockeFeller Brothers” në Kosovë, Haki Abazi, ka vlerësuar se zanafilla e Gjykatës Speciale qëndron tek akuzat e Dick Martyt.

“Zanafilla e Gjykatës Speciale është tek akuzat e Dick Marty dhe që mandej janë zgjeruar në procesin e investigimeve nga prokurorë ndërkombëtarë”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Abazi mendon se akuza do të ketë edhe për politikanët në vend.

“Nga proceset e zhvilluara deri më tani është e qartë që do të ketë politikanë të cilët mbajnë pozita të larta dhe pjesëtarë të partive politike në listën e të akuzuarve”, ka përfunduar ai. /ZËRI/