Burri vret gruan, plagos mikun

Kronika December 23, 2016 - 08:17

Një burrë rreth 62 vjeç, e ka qëlluar me armë zjarri gruan e tij 57-vjeçare duke e lenë të vdekur, si dhe e ka plagosur mikun e tij 47-vjeçar (vëllain e gruas). Ngjarja ndodhi të mërkurën mbrëma, rreth orës 22:00, në rrugën “Muharrem Fejza”, në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë, para ndërtesës ku banon familja e të vrarës.

Gazeta ka provuar që të shkojë në banesën e familjes Hetemi, për të marrë ndonjë prononcim nga ana e tyre, mirëpo nuk kanë dashur të flasin. “Na leni rehat” kanë thënë ata përmes interfonit.

Ndërsa, i plagosur nga të shtënat e armës ka mbetur vëllai i së ndjerës, i cili vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Policia ka njoftuar se i dyshuari është vetëdorëzuar në Polici, menjëherë pasi që kreu krimin.

Rruga “Muharrem Fejza”, në lagjen “Mati 1” në kryeqytet, gjatë ditës së enjte ishte e heshtur, por njollat e gjakut të cilat kishin rënë pas të shtënave më armë ndaj të tanimë ndjerës M. G. dhe vëllait të saj XH.H. ishin akoma të freskëta.

Ndërsa, shkaqet e kësaj tragjedie askush nga banorët e asaj lagjeje nuk i di.

Përveç familjes, rreth këtij rasti nuk është prononcuar as prokurorja kujdestare e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ferdane Sylejmani. Kjo e fundit nuk ka dashur që të japë ndonjë informacion në lidhje më këtë rast. Ndërsa, përpos insistimit për të marrë informacione në lidhje më këtë rast, “Zëri” ka kontaktuar edhe me drejtorin e Kirurgjisë Torakale, Saudin Maliqi, për ta pyetur rreth gjendjes shëndetësore të të plagosurit.

Doktor Maliqi, ka thënë se gjendja e të plagosurit është stabile mirëpo ky pacient vazhdon të jetë në rrezik për jetë.

“Gjendja e tij është stabile, janë bërë do internimeve në kraharor dhe në kurriz, mirëpo, vazhdon të jetë në rrezik për jetë, por gjendja aktuale e ka njëfarë stabiliteti”, ka thënë doktor Saudin Maliqi.

Ndërsa, rreth kësaj vrasjeje janë deklaruar vetëm Policia e Kosovës, përmes një kumtese dërguar medieve.

“Policia me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ka dërguar në qendrën e mbajtjes, një person të dyshuar: R. G., 62 vjeç, mashkull, shtetas kosovar, të njëjtit nga ana e policisë i është konfiskuar një armë e tipit CZ, e kalibrit 7.65mm (që dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë), si dhe një karikator i zbrazët”, bën të ditur i njëjti njoftim i policisë. Sipas policisë hetuesit policorë janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin, i cili nga ana e Prokurorit të shtetit është cilësuar si vrasje e rëndë.