Policia konfiskon arsenal armësh në banesën e të dyshuarit për vrasjen në Mitrovicë

Kronika December 08, 2016 - 18:17

Pas vrasjes së Valon Sadikut dje në Mitrovicë, policia ka konfiskuar arsenal armësh në banesën e të dyshuarit për këtë krim që është djali i asamblistes së PDK-së Valbona Fazliu-Beqiri.

Konfiskimi i armëve në banesën e V.B., të dyshuarit për vrasje të Valon Sadikut dje në Mitrovicë, përshkruhet në kërkesën e prokurorisë së këtij qyteti për caktimin e paraburgimit.

“Një granatë dore, shufër me mbishkrimin policevsing, shkop druri, karikator i zbrazët i AK-47, kondak druri i AK-47, fitil ndezës i granatës, shufër metalike, kapelë-maskë, shall, gazmaskë, tre shirita dhe dy fishekë,” thuhet se u gjetën në banesën e atij që dyshohet se vrau Valon Sadikun.

Siç përshkruhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, kopjen e së cilës e ka siguruar KALLXO.com, i dyshuari V.B. është djali i Valbona Fazliu Beqirit, asamblistes së PDK-së në Kuvendin e Mitrovicës, ndërsa Esat Beqiri, babai i të dyshuarit për këtë vrasje punon në Kuvendin e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar me asamblisten e PDK-së në Mitrovicë Valbona Fazliu-Beqiri e cila është nëna e të dyshuarit, por ajo ka mohuar që të dy prindërit të jenë në dijeni se në banesën e tyre janë gjetur gjëra të ndaluara.

“As unë, e as burri im Esati nuk jemi në dije se në shtëpinë tonë janë gjetur armë, apo diçka tjetër që ju po e potenconi. Ne gjatë asaj kohe kemi qenë në polici, jemi të shqetësuar dhe nuk mundemi të prononcohemi me shumë,” tha Fazliu Beqiri për KALLXO.com.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit,  i mituri V.B. dyshohet për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi të armës, ndërsa i mituri tjetër H.V. dyshohet për  dhënien e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale.

Kërkesa e prokurorisë në Mitrovicë për paraburgim sqaron se vrasja e djeshme ndodhi pas një zënke që kishte ndodhur disa ditë me parë në mes të tash të ndjerit Valon Sadiku dhe të dyshuarit V.B. ku ky i fundit e kishte kërcënuar Valon Sadikun me thikë.

“Të mërkurën e 7 dhjetorit rreth orës 09:20 ata takohen në afërsi të Shkollës Ekonomike ‘Hasan Prishtina’ në Mitrovicë ku i dyshuari V.B. nxjerr armën e tipit AK 47  dhe qëllon në drejtim të tani të ndjerit Valon Sadikut, me ç’rast rrezikon edhe kalimtarët e tjerë të rastit-nxënësit që ishin duke shkuar në shkollë,” thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Gjykata në Mitrovicë pastaj ia caktoi paraburgimin prej 30 ditësh të miturit V.B. të dyshuar për vrasjen e djeshme, ndërsa i mituri tjetër H.V. sipas vendimit të gjykatës do të qëndrojë një muaj në arrest shtëpiak.