Vjedhja në shtëpinë e Kryeprokurorit, rasti i lihet në dorë prokurores serbe Prlinceviq

Kronika December 08, 2016 - 11:26

Vjedhja që ndodhi javë më parë në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, është rasti më i freskët ku vidhet shtëpia e një zyrtari kaq të lartë të sistemit të drejtësisë në vend.

Persona të panjohur kishin arritur të futeshin në shtëpinë e kryeprokurorit mëngjesin e hershëm të datës 22 nëntor të këtij viti, duke marrë vetëm një telefon “Samsung” të kryeprokurorit Lumezi.

Hajnat kishin arritur të thyenin dy dyer të shtëpisë edhe pse shtëpia ishte nën mbikëqyrjen e policisë për 24 orë.

Telegrafi ka mësuar se lidhur me këtë rast është duke u marrë prokurorja serbe, Javorka Prlinceviq.

Telegrafi po ashtu për një javë rresht ka pritur përgjigje nga ana e zëdhënëses së Prokurorisë së Shtetit, Liridonë Kozmaqi lidhur me atë se deri ku ka shkuar procesi i hetimeve dhe a ka ndonjë person të dyshuar, mirëpo e njëjta nuk ka kthyer përgjigje me arsyetimin se prokurorja e rastit nuk po i jep informacion.

“Disa herë kam kërkuar informacion nga prokurorja e rastit por nuk kam marrë asnjë informatë”, ka thënë Kozmaqi.

Ndërkaq e kontaktuar  prokuroja Javorka Prlinceviq “topin” e ka hedhur tek zëdhënësit duke thënë se ajo nuk mund të flasë.

“Jam në një gjykim, dërgoni pyetjet tek zëdhënësja ajo ju përgjigjet, unë nuk flasë”, ka thënë prokurorja Prlinceviq.

Ndërkaq, kryeprokurori Aleksandër Lumezi e kishte quajtur këtë incident si shumë të dyshimtë, për shkak se personat që janë futur brenda nuk kanë marrë asgjë tjetër pos telefonit.

E menjëherë pas kësaj vjedhje, Policia e Kosovës kishte suspenduar për 48 orë një zyrtar policor të divizionit të sigurimit si dhe një mbikëqyrës të policit.