Kryeprokurori Hoxha: Jemi të pavarur, nuk i raportojmë Kuvendit

Kronika November 21, 2016 - 13:59

Ndonëse ishte paraparë që gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete të diskutohej rreth ftesës që kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, ka propozuar që ti bëhet Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxhaj dhe Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, për të raportuar në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo për shkak të tensioneve të ashpra të cilat janë krijuar gjatë kësaj mbledhjeje në mes deputetit të LDK-së Armend Zemaj dhe deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, me ç’rast mbledhja e këtij komisioni ka përfunduar para kohe, raporton "zeri.info".

Mirëpo, edhe po të miratoheshin këto pika të propozuara nga kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu, rreth raportimit të kryeprokurorit Hoxhaj në këtë komision, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. “Zëri”, ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, në lidhje më ndonjë ftesë të mundshme  për të raportuar në lidhje me rastin Dehari para anëtarëve të këtij komisioni. Por, sipas kryeprokurorit Hoxha, prokuroria është organ i pavarur dhe nuk i raportonë Kuvendit.   

“Nuk lejohet. Kurrë nuk kam dëgjuar për diçka të tillë. Mirëpo, nëse kemi diçka në lidhje me këtë çështje e shikojmë, por, na nuk japim raport para Kuvendit. Na jemi të pavarur”, ka deklaruar Hoxha.

Hoxha ka thënë se, në rast se do ti shkojë ndonjë ftesë për raportim në Kuvend, ai do të veprojnë sipas ligjit.

“E shikoj ligjin unë dhe më pas veproj në bazë të ligjit”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq i pyetur në lidhje më atë se një ftesë e mundshme nga ana e këtij komisioni, a do të paraqeste ndërhyrje në organet e drejtësisë, kryeprokurori Hoxha ka thënë se kjo paraqet një ndërhyrje në gjyqësor dhe se ata nuk kanë nevojë me raportu para Kuvendit.

“Sigurisht se kjo është ndërhyrje. Çka kemi na me raportu. Na e kemi dhënë versionin tonë si prokurori dhe si organ i pavarur. Na nuk kemi nevojë me i raportua Kuvendit. Ne kemi raportuar para mediave, nuk di çfarë raportimi tjetër duhet më ba”, ka deklaruar Hoxha.

Në fillim të kësaj mbledhjeje, deputet e partive opozitare pëkrahen propozimin e Haxhiut. Mirëpo, kundër ishin kolegët e tyre nga koalicioni qeverisës.

Deputetja nga radhët e PDK-së, Selvie Halimi, ka thënë se ky komision nuk kompetencë që ta thërras për raportim kryeprokurorin Hoxha.

“Ne nuk kemi kompetence që ta thërrasim kryeprokurorin për raportim, ne kemi kompetencë ta thërrasim vetëm Ministren e Drejtësisë, e jo kryeprokurorin", ka deklaruar deputetja Halimi.

Ndërkaq, një përplasja me tonë të ashpra ka ndodhur mes Deputetit të LDK-së, që një herit është anëtar i këtij komisioni, Armend Zemajt dhe Albulena Haxhiut ku u diskutua në lidhje me vdekjen e Astrit Deharit në burgun e Prizrenit.

Haxhiu ka drejtuar akuza tek institucionet e shtetit të cilat i fajëson për “vrasjen e Deharit” ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka hedhur akuza në drejtim të Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë “e keni shtyrë njeriun që ta vrasë veten”.

Ndërsa, pas këtij debati të ashpër mes Zemajt dhe Haxhiut, si dhe mes Haxhiut dhe Selvie Halimit nga Partia Demokratike e Kosovës, mbledhjen e kanë lëshuar të gjithë anëtarët e komisionit të partive politike, duke bërë që kjo mbledhje të përfundoj para kohe. /Zeri