25 vetëvrasje për 9 muaj

Kronika October 25, 2016 - 17:02

25 persona janë vetëvrarë në Kosovë prej fillimit të këtij viti deri në fund të muajit shtator. Të tilla akte kanë vazhduar të kryhen edhe përgjatë këtij muaji.

Dy persona të moshave të ndryshme, u vetëvranë për një ditë javën që lamë pas. Një 18 vjeçar nga Ferizaj i dha fund jetës së tij të martën e kaluar, përderisa po këtë ditë, nga një akt i tillë humbi jetën edhe një 12 vjeçar nga Rahoveci.

Pavarësisht këtyre, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, numri i vrasjeve ka shënuar rënje sa u takon dy viteve të shkuara. Përderisa në vitin 2014 kishte 63 vetërasje dhe 247 tentim vetëvrasje, në vitin 2015, janë kryer 45 akte të tilla dhe 204 tentimvrasje.

Megjithëkëtë, psikologët dhe sociologët vlerësojnë se shifra e vetëvrasjeve në Kosovë është e një niveli mjaft të lartë. Ata konsiderojnë se kjo dukuri është tejet shqetësuese. Madje, sipas tyre, një pjesë të fajit për të tilla raste e kanë edhe institucionet e Kosovës, pasi që siç thonë ata, nuk kujdesen për një jetë më të mirë të qytetarëve.

Duke e cilësuar si shqetësuese këtë dukuri, Policia e Kosovës ka thënë se PK-ja i heton rastet në fjalë, në momentin që ka dyshime të mjaftueshme rreth tyre.

“Vetëvrasja si dukuri është shqetësusese, Policia e Kosovës heton këto raste kur ka dyshim se ka pasur vepër penale “shtyrje në vetëvrasje apo ndihmë në vetëvrasje”, ka thënë PK-ja përmes zyrës për informim.

Numri i vetëvrasjeve në Kosovë, i shkallës së lartë

Nga ana tjetëër, sociologu Albert Mecini ka vlerësuar se shkalla e vetëvrasjeve në Kosovë mbetet mjaft e lartë.

Sipas tij, ekzistojnë disa faktorë që çojnë deri te kryerja e një akti të tillë.

“Në Kosovë duhet pasur parasysh se situata e rëndë socio-ekonomike, pastaj stresi post-traumatik që shfaqet në shoqëritë e dala nga lufta, si dhe transformimet drastike në sistemin vleror, janë disa nga faktorët socialë dhe psikologjikë që rëndojnë ambientin social dhe jetën e individit”, ka deklaruar ai në një prononcim për “Zërin”.

Megjithëkëtë, sipas tij, disa persona arrijnë që me sukses t’i kalojnë këto situata.

“Varësisht nga karakteri dhe formimi i personalitetit, disa individë arrijnë që me sukses të plotë të ballafaqohen me këto probleme, mirëpo disa e kanë tepër të vështirë, qoftë të përballen me situata të tilla, qoftë të pajtohen me gjendjen në të cilën ndodhen”, ka shtuar ai.

Sipas Mecinit, parandalimi i akteve të tilla është sfidë në vete, sepse ashtu si është shprehur ai, është vështirë të kuptohet gjendja psiko-emocionale dhe mendimet e njerëzve.

Pavarësisht kësaj, ai thotë se personat që kanë probleme të tilla duhet të këshillohen  në mënyrë që të parandalohen vetëvrasjet.

“Ajo çka i mbetet shoqërisë me institucionet e saj, që nga familja e deri në rangje tjera të hierarkisë, është një lloj vetëdijesimi mbi rolin e tyre karshi individit, duke u siguruar përkrahje dhe mbështetje në situatata kur ai është duke kaluar nëpër vështirësi”, ka potencuar ai.

Tutje, Mecini ka thënë se edhe këshillimet profesionale nëpër qendra sociale apo edhe tek psikologët do të ishin një ndihmesë e madhe për personat që nuk e ndiejnë veten mirë dhe kanë nevojë për ndihmë.

Njeriu detyrohet t’i japw fund jetws kur vendi nuk i ofron zgjidhje

Nga ana tjetër, psikologu Adem Shala ka vlerësuar se dukuria e vetëvrasjeve është bërë pjesë e përditshmërisë.

“Është fakt i pamohueshëm tashmë që në dekadën e tranzicionit për shkak të një vakumi shpirtëror, ideologjik dhe moral, si dhe problemeve ekonomiko-sociale, faktorë këta që i dhanë tipare të reja shoqërisë kosovare e cila po përjeton një krizë identiteti, fenomeni i vetëvrasjes është bërë pjesë e jetës së përditshme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, vetëvrasjet janë pasqyra e zhvillimit social dhe ekonomik të popullit dhe shtetit.

Shala gjatë bisedës, ka vlerësuar se ka disa arsye që shpiejnë deri te vetëvrasjet.

“Ndër arsyet më të shpeshta janë: dëshpërimi, humbja e shpresës, papunësia, gjendja sociale, ekonomike”, ka theksuar ai.

Ai thotë se sipas këndvështrimit psikologjik, arsyet e vetëvrasjes janë çrregullimet e spektrit mendor dhe emocional siç mund të jetë depresioni.

Kurse, nuk ka lënë pa fajësuar edhe institucionet e Kosovës, të cilat sipas tij, nuk u ofrojnë kushte të duhura qytetarëve të tyre.

“Është fakt se një njeri më së shumti detyrohet t’i japë fund jetës atëherë kur vendi dhe shoqëria nuk i ofrojnë asnjë rrugëzgjidhje dhe shpresë tjetër për të arritur qëllimet dhe ëndrrat e jetës së tij, pikërisht tek humbja e shpresës dhe paaftësia e institucioneve të Kosovës për të ofruar alternativa serioze dhe të shpejta në këtë situatë”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, vetëvrasjet mund të reduktohen ndjeshëm me anë të zbulimit të hershëm dhe trajtimit efektiv të shkaqeve të tij.

Ai tutje thotë se në Kosovë nuk ka struktura shtetërore e as joshtetërore që synojnë parandalimin e vetëvrasjes.

Ndërkaq, po qe se do të ekzistonin struktura të tilla, ashtu si Shala është shprehur, do të identifikonin personat që kanë synuar ta kryjnë këtë akt dhe do t’i shqyrtonin shkaqet.

“Sikur të ekzistonin këto struktura atëherë detyra e tyre është të bënin identifikimin e personave me tendencë vetëvrasëse, duhet ofruar ndihmë psikologjike dhe sociale si dhe të përmirësohen kushtet ekonomike”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, siç shprehet psikologu Shala, zbutja e problemeve, si papunësia dhe varfëria kanë ndikim të ndjeshëm në reduktimin e problemeve të shëndetit mendor./Zëri