Policia në aksion: Arreston pesë persona për trafikim me njerëz, shpëtohen dy të mitura

Kronika October 25, 2016 - 14:56

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, më 24 tetor 2016, rreth orës 11:00, në Fushë Kosovë, pas një hetimi të bërë ka arrestuar katër persona të dyshuar për veprat penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘shërbime seksuale’.

Si vazhdimësi e hetimeve intensive nga njësitet relevante policore, sot më 25 tetor, është arritur të identifikohet edhe i dyshuari i pestë me radhë, me dyshimin e bazuar për përfshirje në të njëjtin rast të trafikimit me njerëz.

Personat e arrestuar lidhur me këtë rast janë: I. K., lindur me 1993, Xh. B., lindur me 1962, B. G., lindur me 1995, Sh. P., lindur me 1949, të gjithë këta meshkuj shkali të Kosovës, si dhe A. A., lindur me 1999, femër ashkalike e Kosovës.

Me këtë rast janë identifikuar edhe dy viktima të mitura, të cilat dyshohet se janë shfrytëzuar nga të dyshuarit e arrestuar për shërbimet seksuale.

Dy viktimat pas intervistimit janë trajtuar sipas procedurave standarde të veprimit, për asistim dhe mbështetje të viktimave.

Lidhur me këtë rast, me vendim të prokurorit katër të dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, kurse e dyshuara A.A. e mitur është dërguar në mbajtje për 24 orë.