Policia e Kosovës arreston katër persona të dyshuar të involvuar në vepra penale

Kronika August 24, 2016 - 14:49

Policia e Kosovës, në këtë rast hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore (DHTQNJ), pas një pune operative hetimore (1) një vjeçare bazuar në informatat dhe provat që kishin siguruar, më datë 16.08.2016 kanë realizuar një operacion policor në Prishtinë, si dhe me datën 22.08.2016 ka vazhduar i njëjti operacion policor në Mitrovicë-Jugu, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar dhe identifikimin e një viktime të trafikimit me qenie njerëzore .

Katër personat e dyshuar janë vënë nën pranga nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “trafikim me njerëz , shërbime seksuale të viktimës së trafikimit , mbajtje në pronësi kontroll të armës pa leje dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Si rezultat i punës hetuesit policor kanë arritur të lokalizojnë vendqëndrimin e viktimës, shtetase e Republikës së Kosovës, e cila ishte mbajtur nën kontroll të plotë nga të dyshuarit po ashtu shtetas të Republikës së Kosovës. Të dyshuarit nën nr-1 dhe 2 tashmë të arrestuar me qëllim përfitimi personal e kanë detyruar viktimën të kryente shërbime seksuale me persona të ndryshëm me pagesë, kurse i dyshuari me nr-3 është arrestuar për veprën penale shërbime seksuale të viktimës së trafikimit, ndërsa i dyshuari me nr-4 zyrtar i policisë, pas hetimeve te përbashkëta me Inspektoratin Policor (IPK-në) i njëjti është arrestuar nga këta te fundit për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Personat e arrestuar janë: B. K. (1984) (M )Sh/Kosovar N. M. (1972) (M) Sh/Kosovar A. R. (1975) (M) Sh/Kosovar S. J. (1976) (M) Sh/Kosovar Njësitet relevante policore me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtine kanë bastisur edhe dy lokacione pronë e të dyshuarit me nr-2, me qëllim të mbledhjes së evidencave të nevojshme për rastin ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar; Katër (4) fishek të kalibrit 9mm. Pajisje për pastrimin e armës. Tri (3) fletore me shënime në lokalin e të dyshuarit Një (1) telefon mobil.

Lidhur me rastin është njoftuar mbrojtësi i viktimave dhe në prezencë të tij është intervistuar viktima, e cila është trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave. Po ashtu për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit pran Prokurorisë Themelore - Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, dhe me vendim të tij të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.