Vende të lira për 14 gjyqtarë serbë!

Kronika July 30, 2016 - 09:05

Për Gjykatën Themelore në veri të Mitrovicës, e cila sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel ka qenë dashur t’ia nisë punës në fillim të shtatorit të këtij viti, ka vende të lira të punës edhe për 14 gjyqtarë serbë, ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, duke folur për mediet në Prishtinë, fjalët e të cilit i përcjellin mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Marrëveshja për Integrimin e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve Serbë, si dhe stafit tjetër në sistemin e drejtësisë së Kosovës është nënshkruar më 10 shkurt të vitit 2015, në Bruksel, 

por ajo ende nuk është jetësuar. Zbatimi i marrëveshjes pritet të fillojë nga shtatori ose tetori i këtij viti, por për shkak se ende nuk kanë përfunduar përgatitjet, funksionalizimi i Gjykatës Themelore dhe i Prokurorisë në veri, sipas gjyqtarëve dhe avokatëve serbë, nuk do të mundë të fillojë deri në janarin e vitit që vjen.

Siç përcjellin mediet serbe në veri të Mitrovicës, vitin e kaluar ishte shpallur konkursi për 48 vende të lira të punës për gjyqtarë të nacionalitetit serb. Nga numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar, komisioni i ka propozuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës 34 kandidatë, të cilët do të emërohen me dekretin e presidentit Hashim Thaçi. Për 14 vende të lira të punës për gjyqtarë që kanë mbetur pa u plotësuar me konkursin e vitit të kaluar, është përsëritur konkursi dhe në të kanë aplikuar 28 kandidatë për emërimin e të cilëve kanë vendosur tre gjyqtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe dy gjyqtarë të EULEX-it.

Nehat Idrizi, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se për 115 vende të punës në Administratë kanë konkurruar 1.459 kandidatë.

“Për Gjykatën Supreme është paraparë 1 pozitë, për Gjykatën e Apelit gjithashtu 1 pozitë, ndërsa për Gjykatën Themelor të Mitrovicës 3 pozita. Për Degën e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në Zubin Potok 2 pozita, për Gjykatën Themelore në Prishtinë 3 pozita, për degët e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Lipjan dhe në Graçanicë nga 1 pozitë dhe për Gjykatën Themelore në Gjilan 2 pozita”, ka precizuar Nehat Idrizi, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Gjykata Themelore e Mitrovicës së Veriut do të vendoset në ndërtesën e ish-“Jugobankës”. Është paraparë që gjykata të punojnë sipas ligjeve të Kosovës.  Kompetencat e gjykatave janë përcaktuar në bazë të vendit ku ndodhen, gjegjësisht në vendbanimin e të akuzuarit. Sipas avokatëve serbë, shumë detaje të kësaj marrëveshjeje ende nuk dihen.

Avokati Dejan Vasiq mendon se duhet qasje detaje kur bëhet fjalë për këtë marrëveshje.

“Kemi një numër të madh të lëndëve që kanë të bëjnë me marrëdhënie të punës, lidhur me institucionet e Republikës së Serbisë. Çfarë do të bëhet me ato lëndë? A do të mbesin ato lëndë që të zgjidhen nga gjykatat që do të punojmë - me sistemin e drejtësisë së Kosovës? Në anën tjetër, duhet pasur parasysh se në gjykata që kanë funksionuar para marrëveshjes së arritur, janë dënuar një numër i madh i qytetarëve. Aty ka aktgjykime të shumtë, janë nga fusha e marrëdhënieve ndërfamiljare, por ka edhe nga fushat tjera. Thjesht nuk dimë sa çfarë do të bëhet me to”, ka thënë Vasiq.

E ndërkaq kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, është shprehur se për shumë çështje lidhur me marrëveshjen do të bisedohet edhe më tutje.

“Lidhur me kontestet dhe lëndët që janë paraqitur para gjykatave që punojnë sipas sistemit të Serbisë do të vendosë Komisioni, i cili do të konstatojë se sa lëndë janë dhe në cilën fazë të shqyrtimit janë. Do të duhej që të bëhet dorëzim-pranimi i atyre lëndëve”, ka thënë ai.

E ndërkaq më herët kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, pati thënë se deri në fillim të shtatorit të vitit 2016 do të funksionalizohet gjykata në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të punojë me ligjet e Kosovës. Ai pati sqaruar se punëtorët e saj do të jenë kryesisht ata që kanë punuar deri më tani në gjykatat, të ashtuquajtura paralele, të cilat janë shuar pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013.