Sekuestrohet pasuria e Mark Frrokut

Kronika July 29, 2016 - 13:25

Dyqane, apartamente, garazhe dhe sipërfaqe toke arë në emër të ish-deputetit Mark Frroku, janë vendosur nën masën e sekuestrimit nga ana e gjykatës, pas kërkesë së bërë nga Prokuroria për Krime të Rënda.

Bëhet fjalë për 7 apartamente të shpërndara në Orikum të Vlorës, Shëngjin në Lezhë dhe në zonën e Kasharit në Tiranë. Në kryeqytet janë sekuestruar gjithashtu edhe dy dyqane në emër të ish-deputetit, ndërsa toka arë e sekuestruar ka një sipërfaqe prej 6 mijë metrash katrorë dhe ndodhet në Grykë Lumë në Lezhë.

Mark Frroku është në gjykim për veprat penale të “vrasjes me paramendim”, “fshehjes së pasurisë…”, “pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “ndërtimit të paligjshëm”.

Ai po gjykohet në Shqipëri për akuzat se, në bashkëpunim, ka vrarë një shtetas shqiptar në Belgjikë në vitin 1999. Sipas hetimit të autoriteteve belge, të cilat përcollën aktet pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë, Frroku dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë kanë vrarë një bashkëkombas pas konflikteve për trafikun e prostitucionit, raporton TCH, përcjellë Klan Kosova.

Ish-deputeti rezulton gjithashtu se është i dënuar nga Gjykata e Amsterdamit me 3 vjet burgim në vitin 2002, si i përshirë në veprimtarinë e paligjshme të trafikimit të lëndëve narkotike, duke përdorur emrin Piro Sofrani.

Nisur nga këto të dhëna, Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin pasuror ndaj të pandehurit Frroku. Në vijim të këtij hetimi, ka rezultuar se Mark Frroku, në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë ka deklaruar pasurinë e mësipërme. Nga ekspertiza kontabël ka rezultuar se ai nuk justifikonte me burime të ligjshme një pjesë të konsiderueshme të pasurisë së tij.

Për këto arsye, Prokuroria për Krime të Rënda evidentoi asetet e paluajtshme në emër të tij dhe kërkoi sekuestrimin e tyre.