Rrëfehet autori që theri gruan: E godita se më qëlloi e para, jam penduar

Kronika July 26, 2016 - 09:12

Bashkëshorten time e godita për vdekje me thikë në sherr e sipër. Nuk desha ta vrisja, por situata më doli jashtë kontrollit.

Teksa po debatonim, ajo më qëlloi e para, ndaj bëra atë që bëra. Jam penduar”.

Kështu është shprehur dje para oficerëve të policisë, Shpëtim Goxhaj nga qyteti i Patosit, i cili në orët e vona të mbrëmjes të së dielës ekzekutoi nënën e tre fëmijëve të tij.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit dje bënë me dije se krimi më i fundit në familje ka ndodhur për motive xhelozie.

Mësohet se gjatë marrjes në pyetje 55- vjeçari ka deklaruar se prej shumë kohësh kishte konflikte me gruan e tij 50- vjeçare, Resmie Goxhaj, pasi dyshonte se ajo e tradhtonte.

Ndërkohë, mësohet se autori i krimit është tronditur dhe penduar pas vrasjes, ndërsa ka shkuar duke qarë në Komisariatin e Policisë së Fierit.

Shpëtim Goxhaj akuzohet për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, ndërsa pritet që Gjykata e Shkallës së Parë e Fierit të vendosë masën e sigurisë ndaj tij. 

NGJARJA

Mbrëmjen e së dielës bashkëshortët Goxhaj kanë nisur të grinden me njëri-tjetrin në banesën e tyre. Sipas burimeve të mësipërme, dyshohet që kryefamiljari prej disa kohësh ushtronte dhunë psikologjike ndaj gruas së tij, pasi dyshonte se kjo e fundit e tradhtonte.

Të gjendur vetëm në banesë, pasi fëmijët në një dasmë, Shpëtim dhe Resmie Goxhaj kanë nisur të debatojnë fillimisht me fjalë.

LEXO EDHE: Aktakuzë kundër iranianit që financoi organizatat e dyshuara për terrorizëm në Kosovë

Më pas sherri ka degjeneruar deri në përleshje. Kryefamiljari, dje ka pretenduar se në sherr e sipër, e shoqja ka ngritur dorë kundër tij. I fyer dhe tejet i nxehur, 55- vjeçari ka marrë thikën dhe e ka goditur disa herë bashkëshorten e tij duke e lënë atë të vdekur në vend.

Më pas, rreth orës 23:30, ai është vetëdorëzuar në rajonin e policisë së Patosit, ku ka deklaruar se kishte vrarë nënën e tre fëmijëve të tij (dy djem dhe një vajzë). Menjëherë forcat policore kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për krimin e rëndë në familjen Goxhaj.

Ndërkaq, Shpëtim Goxhaj është dërguar në Komisariatin e Policisë së Fierit, ku ka treguar me detaje ngjarjen si dhe motivin e krimit.

DESHMIA E AUTORIT NE POLICI

“Ishim vetëm në banesë, pasi fëmijët kishin shkuar në një gëzim familjar, në një dasmë te disa të afërm. U grindëm me fjalë. Dhe unë e godita me thikë. Kur pashë se çfarë ndodhi dhe gruan ashtu të përgjakur, u trondita. Për një moment kam ngrirë. Nuk mbaj mend se si kam shkuar deri në rajonin e Policisë së Patosit”, – ka thënë 55-vjeçari Shpëtim Goxhaj.

Babai i tre fëmijëve ka pohuar se “pasi kam deklaruar se kam goditur gruan me thikë, më kanë shoqëruar në Komisariatin e Fierit. Pastaj s’mbaj mend asgjë. Nuk doja ta vrisja nënën e fëmijëve të mi”.

Nga ana tjetër, burime policore sqaruan se autori i krimit kishte një servis makinash, ndërsa viktima ishte shtëpiake. /Panorama/