Studimi i fundit: Mbipesha e shkakton depresionin, e jo anasjelltas

Jetë November 13, 2018 - 16:45
Lexo tjera detaje

Përderisa edhe studimet e kaluara kanë treguar se njerëzit me mbipeshë kanë më shumë gjasa që të vuajnë nga depresioni, deri më tash nuk ka qenë e qartë se a e shkakton depresioni mbipeshën apo mbipesha e shkakton depresionin.

Në një studim që është më i madhi për këtë çështje, ekspertët thonë se posedimi i varianteve gjenetike për masë më të madhe trupore mund ta shkaktojë depresionin dhe kjo ndikon më tepër të gratë sesa te burrat. Për më tepër, ata thonë se edhe forma e trupit dhe pakënaqsia për të e përforcon nivelin e depresionit.

“Njerëzit me mbipeshë janë më të goditur nga depresioni dhe gjasat janë që kjo shfaqet për shkak të indeksit të masës trupore”, thotë prof.Tim Frayling, i cili është një nga autorët e studimit dhe i cili punon në Universitetin e Exeter-it të Britanisë së Madhe.

Pjesë e këtij studimi ishin 500 mijë persona të moshës 37 deri 73 vjeçare, gjendja trupore e të cilëve u përcoll prej vitit 2006 deri në vitin 2010. Hulumtuesit i përcollën 73 variante gjenetike që lidhen me indeksin e masës trupore dhe rrezikun e disa sëmundjeve. Ekipi i hulumtuesve pastaj i përcolli edhe të dhënat mjekësore të pjesëmarrësvje, duke zbuluar se 49 mijë pjesëmarrës me mbipeshë vuanin nga depresioni.

Pavarësisht numrit të madh të pjesëmarrësve, ky studim nuk i përfshin të gjithë sepse është i bazuar vetëm në popullsinë e bardhë evropiane dhe në të janë përfshirë disa të dhëna të raportuara nga pjesëmarrësit, por që nuk janë vërtetuar në mënyrë shkencore dhe mjekësore. Naveed Sattar, profesor i mjekësisë metabolike në Universitetin e Glasgout, tha se e mirëpret këtë zbulim. “Këto gjetje ndoshta janë më të besueshmet deri tash. Sigurisht që depresioni shkaktohet edhe nga shumë faktorë të tjerë, por humbja e peshës së tepërt mund ta përmirësojë shëndetin mendor të disa personave” deklaroi ai, shkruan “The Guardian”.