A na bëjnë vërtet aq keq ëmbëlsirat? Përgjigjja përfundimtare

Jetë August 21, 2018 - 16:39
Lexo detajet

Në fillim një përgjigje e thjeshtë. Nëse ha diçka të ëmbël çdo mbrëmje dhe gjatë ditës nuk tregon shumë kujdes për  ushqimet, atëherë, po, ëmbëlsirat janë të dëmshme.

Sigurisht ka ëmbëlsira e ëmbëlsira. Çokollata e zezë, frutat arrore, frutat e freskëta dhe përzierja e tyre përgjithësisht nuk është problem. Qetësohu. Por ne po flasim për ato klasiket: Tortë. Akullore. Biskota.

 “Kombinimi i sheqerit, miellit të bardhë, gjalpit dhe yndyrnave të përpunuara janë diabeti në pjatë” , thotë Dr. Walter Willett, drejtues i degës së dietologjisë në Shkollën e Shëndetit Publik të Harvardit. Studimet kanë treguar që ato ndikojnë në obezitet dhe diabetin e tipit 2. Kështu që nëse ha ëmbëlsirë çdo darkë, je duke prishur punë, thotë Willett.

Sigurisht, kur vijmë te dieta, ka gjithmonë një zonë gri dhe për ata që pëlqejnë ëmbëlsirat, kjo zonë gri eksizton nëse jeni aktivë gjatë ditës dhe përgjithësisht ha ushqime me pak sheqerna të shtuara, thotë Dr. Rachel Johnson, profesore e nutricionit në Univeristetin e Vermontit  dhe drejtues i Komitetit të dietës në American Heart Association (AHA).

Duhet spjeguar çfarë nënkupton Johnson me “sheqer të shtuar”. Ato janë sheqerna që nuk ekzistojnë natyralisht në ushqime. Për shembull, shumë produkte bulmeti dhe frutat përmbajnë sheqer në formën e laktozës dhe fruktozës, por kur ble një lëng frutash, ose një kos frutash, sheqeri natyral është shtuar me ëmbëlsues të tjerë. Me shumë ëmbëlsues, në shumicën e rasteve. Dhe këto sheqerna “të shtuara” janë përgjegjës për rritjen e tensionit të gjakut, inflamacion të pakontrolluar, yndyrna gjaku në pjesën e barkut dhe sëmundje zemre, thotë Johnson.

AHA thotë që gratë duhet të mos hanë më shumë sesa gjashtë lugë çaji në ditë nga këto sheqerna, që kthehet në rreth 100 kalori. Për burrat, kjo sasi shkon nëntë lugë ose 150 kalori, thotë Johnson. Shumica e ushqimeve që quajmë ëmbëlsira, përmbajnë shumë sheqerna të shtuara dhe sa kohë nuk ha vetëm ushqime të përgatitura me produkte natyrale, me siguri e kalon normën e sheqerit para  akullores së darkës. “Çdo gjë: ketchup-i, salca për sallatë, supa e përgatitur dhe buka përmbajnë sheqer të shtuar,” thotë ajo.

Johnson thotë që të rriturit super aktivë mund të hanë pak më shumë sheqer pa u shqetësuar, por edhe nëse bën stërvitje, kaloritë nga sheqeri i ëmbëlsirave ngelen kalori “boshe”, që do të thotë që nuk i bëjnë ndonjë të mirë shëndetit, edhe pse nuk e dëmtojnë.

Pra, e kuptuat. Ëmbëlsirat nuk janë të mira, por, surprizë!, nëse të pëlqejnë dhe mezi pret t’i shijosh gjithë ditën, vazhdo dhe lejoja vetes, thotë Nyree Dardarian, drejtoreshë e  Integrated Nutrition and Performance Coordination në Universitetin Drexel. “Kur vendos rregulla dhe kufizime për diçka, vetëm sa do e duash më shumë”, thotë ajo, që mund të jetë arsyeja pse këshillat për të ngrënë ëmbëlsira një herë në javë ose pë raste të veçanta shpesh dështojnë.

Në vend që t’i mohosh vetes objektin e dëshirave dhe t’i ushqesh më shumë ato në këtë mënyrë, përqendrohu te kontrolli i racioneve dhe prishja e zakoneve të këqija, thotë Dardarian. Mund të jesh mësuar ta presësh të madhe fetën e tortës ose ta mbushësh pjatën me katër pesë biskota, por dije që do kënaqesh njëlloj duke ngrënë më pak. “Mos ha gjithmonë të njëjtën ëmbëlsirë”, ose të njëjtën sasi, thotë ajo. Dhe mos ha thjesht për hir të zakonit: mund të ketë mbrëmje kur nuk të hahet ëmbëlsirë.

Dhe bëja vetes të vështirë rrugën për t’u shërbyer për herë të dytë me ëmbëlsira, këshillon Dardarian. Nëse i vendos biskotat ose tortën përsëri në paketimin e tyre dhe brenda në dollap apo frigorifer para se të fillosh të hash ato që ke nxjerrë, ke më pak shanse për të shkuar për të marrë të tjera. Johnson thotë që t’i gatuajmë vetë ëmbëlsirat. Ato të ambalazhuarat që blihen janë plot me ëmblësues dhe kimikate, por nëse i bën vetë në shtëpi, mund të zëvendësosh yndyrnat e ngopura me vajra më të shëndetshëm, të eleminosh shumicën e sheqerit dhe të shtosh përbërës të shëndetshëm si frutat arrore, arra ose bajame.

“Ka disa mënyra të shëndetshmë për të kënaqur dëshirën për ëmbëlsira nëse do ta bësh dhe do të përpiqesh për këtë”, thotë Johnson.