Top ushqimet për fytyrë dhe lëkurë të bukur

Jetë March 08, 2018 - 13:24

Shëndeti i lëkurës kryesisht varet nga ushqimi, sepse konsumimi i ushqimeve të shëndetshme dhe shmangia e ushqimeve të pashëndetshme ka efekte pozitive.

Çdo gjë që hani reflektohet në lëkurën dhe fytyrën tuaj, ndërkaq disa “super-ushqime” ju ndihmojnë të keni lëkurë dhe fytyrë të bukur kur i aplikoni në formë të maskës, transmeton Telegrafi.

Tërshëra mund të përdoret si produkt bukurie për të gjitha llojet e lëkurës. Maskat e fytyrës nga tërshëra përdoren për ta shndritur dhe zbardhur lëkurën. Ndër tjerash, tërshëra është fenomenale edhe kundër akneve sepse e absorbon vajin nga sipërfaqja e lëkurës.

Qeset e ftohta të çajit e zvogëlojnë dëmin e lëkurës pas djegies nga dielli dhe ekspozimi i tepërt në rrezet ultravjollcë. Gjithashtu e rrisin kolagjenin në lëkurë dhe e ngadalësojnë plakjen e lëkurës. Mund t’i përdorni dy qese çaj të gjelbër, fillimisht t’i mbani në frigorifer për 30 minuta dhe pastaj t’i vendosni në qepalla.

Farat chia janë të pasura me fibra, proteina, vitaminë E dhe acide yndyrore omega. Këto fara janë të domosdoshme për hidratimin e lëkurës, ndërkaq kombinimi me vaj kokosi vetëm sa e bën lëkurën më të përsosur.

Në anën tjetër, uthulla e mollës është shumë efektive në largimin e qelizave të vdekura, por funksionon edhe për tendosjen e lëkurës. Përzieni një lugë gjelle uthull molle me dy gota ujë dhe lërini në frigorifer. Aplikoni dy-tri pika të këtij produkti para se të flini, dhe lëkura juaj do të përmirësohet shumë shpejt! /Telegrafi/