Këto sëmundje mund të rrisin rrezikun për kancerin

Jetë February 02, 2018 - 14:05
Sëmundjet kronike si ato të zemrës dhe diabeti janë shqetësime serioze për shëndetin, ato mund të rrisin rrezikun e kancerit, thotë një studim i ri nga Tajvani.

Hulumtuesit zbuluan se disa sëmundje kronike të zakonshme, si ajo e mushkërive dhe diabeti, ose indikacionet për këto sëmundje, siç janë nivelet e larta të kolesterolit si shenja për sëmundjet e zemrës, ishin të lidhura secila me një rrezik në rritje të zhvillimit të kancerit ose vdekjes nga kanceri.

Për më tepër, studimi vlerësoi se së bashku, këto sëmundje kronike dhe sinjalet për to përbënin rreth 20 përqind të rasteve të reja të kancerit dhe 39 përqind të vdekjeve nga kanceri, midis pjesëmarrësve në studim.

Pesë faktorë jetese të kombinuara – pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, obeziteti, dietat e pashëndetshme dhe mungesa e stërvitjes – kontribuojnë në zhvillimin e kancerit dhe vdekjen.

“Sëmundja kronike është një faktor i rrezikuar për kancerin, aq i rëndësishëm sa pesë faktorë të mëdhenj jetësorë të kombinuar”, thotë studimi në fjalë i cili u botua më 31 janar në revistën The BMJ.

Por mund të ketë një mënyrë për të ulur këtë rrezik: Studimi gjithashtu zbuloi se stërvitja e rregullt lidhet me një zvogëlim prej 40 përqind të rrezikut të kancerit të lidhur me sëmundjet kronike, transmeton Klan Kosova.

Studimet e mëparshme kanë treguar se disa sëmundje kronike lidhen me një rritje modeste në rrezikun e kancerit, por shumica e këtyre studimeve kanë ekzaminuar vetëm një sëmundje kronike të vetme në një kohë, thanë hulumtuesit.

Ky hulumtin përfshiu më shumë se 405,000 burra dhe gra në Tajvan të cilët nuk kishin histori të kancerit në fillim të studimit.

Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve rreth historisë së tyre mjekësore, mënyrës së jetesës dhe demografisë, dhe iu nënshtruan një sërë testesh mjekësore, duke përfshirë analizat e gjakut dhe urinës dhe një provim fizik.

Hulumtuesit pastaj vlerësuan pjesëmarrësit për disa sëmundje kronike ose shenja të sëmundjes, duke përfshirë edhe sinjalet e sëmundjeve të zemrës, diabetin, ato të sëmundjeve kronike të veshkave dhe sëmundjet pulmonare.

Gjendja e pjesëmarrëve u ndoq për rreth nëntë vjet për të vlerësuar nëse ata kanë zhvilluar kancer ose kanë vdekur nga sëmundja.

Hulumtimi zbuloi se secila nga këto sëmundje kronike ose ata që kishin simptome për to ishte individualisht e lidhur me një rritje prej 7-deri 44 për qind të rrezikut të zhvillimit të kancerit dhe një rritje prej 12 deri në 70 për qind të rrezikut të vdekjes nga kanceri.