Futboll

Ajet Shosholli, trajner i ri i Trepçës

Ajet Shosholli, trajner i ri i Trepçës
28 tetor 2014 • 15 : 54 • autori: Burim Sejdiu

Ajet Shosholli ka arritur marrëveshje një vjeçare me drejtuesit e Trepçës, për ta drejtuar skuadrën nga Mitrovica pas largimit të Emin Ajvazit.

Ish trajneri i Vëllaznimit thotë se kriza te “Xehetarët” duhet të kalohet dhe skuadra të stabilizohet.

“Sot paradite kemi arritur marrëveshje njëvjeçare me drejtuesit e skuadrës së Trepçës. Unë e njoh potencialin e kësaj skuadre dhe synimi im është stabilizimi i gjendjes dhe t’i kthejmë rezultatet pozitive”, deklaroi trajneri mitrovicas për “Zërin”.

Shosholli shton se nga tash, përgjegjësitë do të jenë të ndara në klub dhe se të gjithë do ta kryejnë punën e tyre.

“Në anën tjetër, përgjegjësitë do të jenë të ndara, bordi dhe shtabi teknik do ta bëjnë punën e vet, gjithashtu edhe lojtarët do të merren vetëm me punën e tyre”, përfundoi Shosholli.

Trepça është e fundit në tabelë dhe Shosholli është ftuar për ta shpëtuar këtë skuadër të mos bie nga Superliga.

© zëri.info